Fatmir Limaj

Limaj në Shirokë: Punimet në këtë zonë do të bëhen një herë e mirë

Zëvendëskryeminisri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, të shoqëruar nga kryetari Bali Muharremaj kanë vizituar Zonën Industriale në Suharekë, njofton Klan Kosova.

Ata kanë përuruar fillimin e punimeve të projektit madhor për përfundimin e punimeve në Zonën Industriale në Shirokë.

“Ky është një lajm i madh për qytetarët e Komunës së Suharekës, për bizneset e kësaj Komune, duke shtuar se këtu nuk do të kthehemi më, do të përfundojnë punimet një herë e mirë, në këtë Zone Industriale e cila do të jetë në shërbim të bizneseve të ndryshme që do t`ju sigurojë qasje në autostradë”, ka thënë Limaj.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, shtoi se ky projekt do të ndikoj edhe hapjen e vendeve të punës.

“Me përfundimin e këtij Projekti do të sigurohen edhe 6oo vende të reja të punës në këtë Zonë Industriale, ku do të krijohet edhe një unazë që do të jetë në shërbim të qytetit që për neve është shumë me rëndësi. Kryetari më pastaj ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për këtë investim”, ka thënë i pari i Suharekës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë,  Endrit Shala, tha se është nder dhe kënaqësi pjesëmarrja e tij në këtë Projekt që është investim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Projekti kap koston e 2,4 milionë eurove dhe me këtë investim përmbyllet përfundimisht e gjithë infrastruktura fizike në këtë Zonë Industriale.