Limaj: Ne e kemi kaluar pragun zgjedhor për 21 vota!

Kryetari I Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka refuzuar të përgjigjet sonte se sa vota nën pragun zgjedhor është kjo parti pas shpalljes së rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja.

Ai ka insistuar se koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kaluar pragun, duke e akuzuar KQZ-në se i futi në rezultat përfundimtar 3100 vota nga Serbia, për të cilat tha se janë fals dhe të kontrabanduar, transmeton Ballkani.info.

“Ne jemi mbi pragun zgjedhor për 21 vota, pra duke përfshirë edhe votat e numëruara nga diaspora. Dhe paramendojeni këto 3000 vota nga Serbia janë duke e përcaktuar fatin e 42 mijë votuesve tanë që a po futemi apo jo në Parlament”, ka thënë Limaj në Klan Kosova.

Sipas tij, ai asnjëherë nuk do ta pranojë këtë rezultat të shpallur nga KQZ-ja, duke e quajtur të jashtëligjshëm.

“Ne do të ankohemi edhe për votat e diasporës që Gjykata Supreme i ka pranuar si të rregullta, pasi që ato kanë ardhur me vonesë”, ka shtuar tutje ai.

Të kujtojmë se Nisma ankohet se 3100 vota të ardhura nga Serbia në mënyrë fizike, jo siç e përcakton ligji përmes postës, janë ato që po ia pamundësojnë këtij koalicioni hyrjen në Kuvend.

Nëse ato vota anulohen dhe të cilat janë sjellë nga Serbia me vetura përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, atëherë koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun dhe hyn në Kuvend për vetëm 21 vota. /Ballkani.info/

loading…