Limaj: Kurti s’mund ta ndryshojë historinë, çliruesit e Kosovës janë Thaçi, Krasniqi, Veseli, Selimi dhe e gjithë UÇK-ja

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se kryeministri aktual, Albin Kurti nuk mund ta ndryshojë historinë.

Ai ka thënë se çliruesit e Kosovës janë Hashim Thaci, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe ushtarët e UÇK-së.

Duke folur në T7, Limaj ka thënë se disa mund të kenë komplekse për shkak se nuk kanë vepruar kur ka qenë kohë, duke aluduar në kohën e luftës së UÇK-së me Serbinë.

“Nuk mundet me ndryshu historinë Albin Kurti, as ti, as unë, askush. Çliruesit e Kosovës janë Hashim Thaci, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Pjetri…. edhe ushtarët e UÇK-së. E kuptoj që e kanë kompleksin që kur ka qenë koha s’kanë bërë kurrgjë”, ka deklaruar Limaj.

“Ata njerëz janë që i kanë pri çlirimit të shtetit dhe shtet-ndërtimit”, ka shtuar ai.

Sipas Limajt, koha e provimit të luftës me Serbi ka kaluar dhe tani është koha e mençurisë dhe urtësisë politike.

“Koha për ta provuar a lëshojmë pe, apo jo, me Serbinë, mendoj që ka qenë në luftë. Ka qenë test. Nëse në atë kohë kam qenë i gatshëm ta sakrifikoj veten, familjen, babën, nënën e fëmijët… atëherë ka qenë provimi. Nuk është më ajo kohë. Tash është koha kush është më i mençëm, kush është më i urtë politikisht”, ka thënë Limaj.

Sa i përket videos së VV-së, ku mes tjerëve edhe Limaj etiketohet si “shkatërrues shteti”, ai ka pyetur se çfarë ka pasur në vitin 1999 për t’u shkatërruar më pas.

“Çka pasur në të ’99-ën në Kosovë që e kemi shkatërruar ne? Sollëm lirinë, nisi rindërtimi i vendit, prej -1, jo prej zeros”, ka pyetur ai.