Limaj kërkon “front të përbashkët politik” kundër Qeverisë Kurti: Ta heqim këtë helm

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur sot në konventën politike “Veprat flasin”, nga ku ka paralajmëruar lirimin e shpejtë të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Limaj tha se nevojitet një “front i përbashkët politik” kundër Qeverisë Kurti 2, e cila sipas tij, e ka futur Kosovën në “një qorr sokak”.

“Kosova sot ballafaqohet me situatë të çuditshme. Janë njerëz që flasin e mashtrojnë. Kosovën e kanë futur në një rrugë pa krye. Sot janë në krye të shtetit mohuesit e shtetit të Kosovës. Prandaj sot na u ka dashtë të mbildhemi në këtë konventë politike “Veprat flasin” e ne jemi veprat bashkë. Kosova qeveriset nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm, pa vizion. Sot kemi qeveri pa plan e pa program. Qeveria e ka humbur komunikim me qytetarët e partnerët e vet. Kjo qeveri e ka futur Kosovën në një qorr sokak. Unë bëj thirrje për një front të përbashkët politik. Na duhet ta shërojmë këtë helm që e ka ngritur kjo qeveri te qytetarët. Na duhet që t’i kthejmë miqtë e partnerët tanë. Na duhet t’i normalizojmë mardhëniet me Shqipërinë”, tha Limaj.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, tha se mungon ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ndërsa theksoi se ai dhe shokët e tij të luftës do të kthehen shumë shpejt të lirë në Kosovë.

Jehona Rrafshi, nga Forumi i Gruas i Nismës tha se “ndryshimi bëhet vetëm me komandant Çelikun”, ndërsa e quajti “mashtrues” kryeministrin Albin Kurti.