Limaj i ashpër: Qeverisja jonë është kaotike, e krahasojnë Kosovën me Afganistanin

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë e jashtëzakonshme për situatën e fundit të krijuar me paralajmërimet e SHBA-ve për sanksione ndaj Kosovës si rrjedhojë e mosdëgjueshmërisë së qeverisë Kurti për heqjen e taksës.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të qeverisë Kurti për sjelljen e saj karshi paralajmërimeve të SHBA-ve

Ai ka thënë se një nga detyrat parësore të qeverisë është kultivimi i raporteve të Kosovës me miqtë e saj.

“Një nga detyrat kryesore të qeverisë është të kultivojë raportet me miq, duke avancuar vlerat tona si shtet e po ashtu aleancat tona. Ditëve të fundit ne kemi parë një situatë kaotike dhe deklarata skandaloze nga zyrtarë të qeverisë. Sot kemi një qeverisje e cila dëshiron dhe e ka gojën plotë për t’i thirrur në emër të kompetencave, dhe i ik vendimeve. Si rezultat i mosmarrjes së vendimeve, qeverisja jonë është kthyer në kaotike”, ka thënë Limaj.

Limaj e ka cilësuar si skandaloze deklaratën e kryeministrit Kurti që e krahasoi largimin e forcave amerikane nga Kosova, me reduktimin e numrit të ushtarëve të SHBA-ve në Afganistan.

Ai foli edhe për dallimet që kanë këto dy paralajmërime.

“Zyrtarë tonë që krahasojnë largimin e trupave të SHBA-ve nga Kosova me Afganistanin. Imagjojeni kur ne vendin tonë, e relativizojmë dhe e krahasojmë me Afganistanin. Ne harrojmë që në Afganistan nuk kemi shkuar sepse populli e ka thirur. Ndërsa në Kosovë ne e kemi ftuar me dekada me ardhë me e ndihmu e me na çliru. Imagjojeni, pretendimet tona janë me shku në NATO. Ushtari amerikan dhe NATO në Kosovë janë në shpijën e tyre. Kujdes çka po flasim, jeni zyrtarë shtetëorë”, ka thënë Limaj.

“Për juve ka filluar shteti më 6 tetor dhe 3 shkurt. Mirëpo s’di në këtë mes ku po e leni LDK-në para 6 tetorit. Nisjani funksiononi si shtet e si deputet të këtij vendi”, tha Limaj.

“Ku ku cka keni me përbi, ky është vec bishti, keni me e përbi edhe dardhën.  Ky është fillimi e kjo është qeveria. Mirëpo ju s’keni guxim as andej as knej”, tha ai.

Limaj në fund tha se askush s’mund ta prishë Kosovën me Amerikën, por që tanimë dëmi është shkaktuar.

“Harrojeni që mundeni me e prish Kosovën me Amerikën. Mirëpo lëndim ose rrënim, pra me fol fjalë që nuk duhet me fol, s’ka dyshim që dëmi është bërë”, iu drejtuar Limaj, Vetëvendosjes.