Limaj flet si jurist: Gjykata Kushtetuese mori rolin që s’i takon

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj thotë se nuk ka pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u hapi rrugë zgjedhjeve duke rrëzuar qeverinë e Avdullah Hotit. Me këtë vendim, sipas Limajt, i cili është jurist me profesion, Kushtetuesja mori rol që s’i takon, duke shpallë dënime.

“Si jurist e kam të vështirë me pasë një arsyetim ligjor pse ka efekt prapaveprues rregullsia e zgjedhjes së qeverisë dhe nuk ka efekt prapaveprues në vendimet e asaj qeverie. Unë e kam problem si jurist me e arsyetuar këtë çështje. Është dashtë prapaveprues në të gjitha ose me i dhënë veprimet se çka duhet të bëhet në të ardhmen, çka nuk duhet me bë në të ardhmen dhe e dyta që për mua është pikëpyetje: Kam përshtypjen që në një rast Gjykata Kushtetuese e ka marrë rolin që s’i takon, ka shpallë dënim. I vetmi institucion për qytetarët, i vetmi institucion në Kosovë nga gjykatat është Gjykata Kushtetuese e cila nuk shpall dënimet, nuk dënon. Gjykata Kushtetuese nuk merret me dënimet, janë gjykatat e rregullta, prej Themelores e deri te Supremja”, thotë Limaj në RTK.

“Me vetë faktin që Gjykata Kushtetuese thotë: Ai që është i dënuar deri në tre vjet me aktgjykim të shkallës së prerë nuk ka të drejtë të rizgjidhet, është dënim, është aktgjykim dënues, sepse ia privon dikujt të drejtën dhe kjo nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, kjo është e drejtë të gjykatave të rregullta”, sqaroi Limaj.