Kryetari i NISMËS Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përjashtuar koalicionet parazgjedhore me subjektet e tjera politike.
Limaj në RTV Dukagjini, ka thënë se NISMA Socialdemokrate nuk do të bëjë koalicione parazgjedhore me asnjë subjekt të madh politik.
“Sot, të gjitha strukturat e NISMA-s janë për të shkuar të vetëm në zgjedhje. Ne sigurt nuk shkojmë me tri partitë e mëdha – VV, PDK dhe LDK”.
Ai ka thënë se partitë e mëdha duhet të shkojnë të vetme në zgjedhje, por sipas tij është vendim i tyre si do të vendosin.
Kryetari i NISMËS ka thënë se nëse ka përplasje të koalicioneve të mëdha, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, NISMA do ta vlerësojë situatën.
Limaj ka thënë se asnjë koalicion nuk e përjashton pas zgjedhjeve, ndërsa nuk ka dashur të flas për preferencat e tij për subjekte të caktuara.
“Këtë mos ma kërkoni. Këtë kërkojeni nga Endriti apo Bilalli, kur të vijnë në studio”, është shprehur me shaka Limaj.
I pari i NISMËS ka thënë se partia e tij nuk do t’i prishë balancat duke iu bashkuar ndonjë subjekti nëse partitë e mëdha vendosin të shkojnë të vetme në zgjedhje.







