Ligjvënësit në futboll: VAR-i të përdoret vetëm për pozitë jashtë loje të qartë

Teknologjia e asistencës përmes videos në futboll, VAR, duhet të përdoret vetëm për të rregulluar gabimet e qarta dhe të mëdha sa i përket pozitës jashtë loje, sipas sekretarit të përgjithshëm të Bordit të Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB).

Fundjava e fundit në Premier Ligë nxiti shumë reagime për shkak të vendimeve që u korrektuan nga VAR-i edhe pse bëhej fjalë për pozita jashtë loje milimetrike.

Lukas Brud ka thënë se IFAB do të rishikojë udhëzimet për përdorimin sa më të mirë të VAR-it nëpër ligat që e përdorin, me gjasë pas takimit të përgjithshëm në fund të muajit shkurt, raporton “Daily-Mail”, transmeton Koha.net.

Këshilla pritet të jetë që teknologjia nuk mund të caktojë një pozitë jashtë loje siç bën ajo e teknologjisë për kalimin e vijës së golit, andaj VAR-i do të përdoret për të rregulluar vetëm gabimet e qarta dhe të mëdha.

“Të qartat dhe të dukshmet – është parim i rëndësishëm. S’duhet të humbet shumë kohë për të gjetur diçka aq margjinale”, ka thënë Brud. “Nëse diçka nuk vërehet në shikim të parë, nuk është e dukshme dhe nuk duhet të konsiderohet. Shikimi në një kënd në kamera është një gjë, por të shikosh në 15 duke u përpjekur që të gjeni diçka, kjo s’ka qenë ideja e VAR-it. Duhet të jetë i qartë dhe i dukshëm”.

Anulimi i golit për Wolvesin ndaj Liverpoolit ka nxitur reagim të dielën me kapitenin e Wolvesit, Conor Coady, që u ankua se gjyqtarët po përpiqen të gjejnë një gisht në pozitë jashtë loje. Edhe Sheffieldit iu anulua një gol ndaj Cityt, e edhe trajneri i “Qytetarëve” Pep Guardiola e vlerësoi VAR-in si rrëmujë.

Ky bord është panel që merret me Ligjet e lojës së futbollit. IFAB funksionon që nga viti 1886.