Ligji që e votoi parlamenti, nuk e implementoi qeveria dhe s’e kuptoi askush

Dy herë, dy qeveri të ndryshme të Kosovës, kanë nxjerrur ligje që kur qytetarët të shpenzojnë para për shërimin nga sëmundjet ngjitëse, ata do të kompensohen.

Madje, ky i herës së dytë, i vitit 2020, ishte akoma më specifik. I emëruar si “07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19”, në pikën 10 të tij konkretizohet se do të bëhet “mbulimi i shpenzimeve”, nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Pika e dytë e këtij neni, thoshte se do mbuloheshin “shpenzimet e izolimit, të ekzaminimit dhe të mjekimit në institucionet publike shëndetësore të personave të sëmurë dhe të personave për të cilët dyshohet se vuajnë nga COVID-19”.

Ndërsa pika e radhës fliste për “mbulim të shpenzimeve edhe të karantinës”.

Ligji i votuar nga 77 deputetë dhe asnjë kundër, nuk kishte shpjegime të tjera të mënyrës dhe procedurave të kompensimit. Prandaj, kompensimi, as nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Qytetarët kryesisht i kanë siguruar vetë ilaçet për shërim dhe i kanë mbuluar po ashtu vetë shpenzimet e tjera për trajtimin e sëmundjes – shpenzime që kapin shifrën e mijëra eurove (varësisht nga kohëzgjatja dhe shkalla e goditjes nga virusi).

Shpenzimet e shumta, shpesh, janë dokumentuar edhe në rrjetet sociale, përmes faturave të shpenzimeve të larta që bëjnë qytetarët për kurimin nga virusi Covid-19.

Kostoja për shërim variron nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrin e Financave dhe Transfereve për ta marr një qëndrim të ministrit të këtij dikasteri, Hekuran Muratit, por nuk është dhënë një përgjigje. Nuk dihet as a është ndarë buxhet i caktuar për këtë pjesë të ligjit.

As në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka pasur gatishmëri për përgjigje në pyetjet e Albanian Post.

Albena Reshitaj tani deputete e AAK-së, në kohën kur ishin hartuar nenet e këtij ligji, ishte kryetare e Komisionit të Shëndetësisë brenda Parlamentit të Kosovës. Ajo, në një përgjigje me shkrim për AP rikujton se me urgjencë kishin punuar për ligjin, me idenë e implementimit të menjëhershëm të tij.

Prandaj, sipas saj, “ligji s’ka pse të mos zbatohet”.

“Nenet e këtij ligji janë për tu implementuar, jo për tu selektuar se cilat nene mund dhe cilat mund të mos implementohen”.

Reshitaj, që është specialiste e ortopedisë së nofullave me profesion, konsideron se ndihma ndaj qytetarëve është e nevojshme po sa vaksina.

“Sipas ligjit çdo person ka të drejtë të përfitojë nga masat për mbrojtjen nga COVID-19. Është aq e nevojshme sa sigurimi i vaksinave aq edhe ndihma që duhet dhënë nga Qeveria e Kosovës për sigurimin e mjeteve materiale shtesë për rastet emergjente, për mbulimin e shpenzimeve të izolimit, të ekzaminimit dhe të mjekimit në institucionet publike shëndetësore”, ka thënë Reshitaj.

Madje ajo tregon se kishte kërkuar që ligji të përmbajë brenda vetës edhe nene të cilat obligonin qeverinë që në momentin që zbulohet vaksina anti-COVID’19, ta sigurojë menjëherë.

Zbatimi i nenit 10 të këtij ligji, për mbulimin e shpenzimeve, do të duhej të bëhej nga 25 gushti, kur edhe i plotë ishte votuar në gazetën zyrtare.

Njëjtë siç kishte filluar zbatimi për kufizimin e lëvizjes dhe masave të tjera.

Moszbatimin e ligjit nga vetë qeveria e atëhershme dhe as nga kjo e tanishmja nuk e ka problematizuar askush, meqë ka shumë pak njohuri rreth tij.

Për më tepër, siç tregon Institucioni i Avokatit të Popullit për Albanian Post, nuk kanë pranuar kurrë një ankesë nga ndonjë qytetar i dëmtuar. Meqë, sigurisht, as nuk dinë për të.

“Nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë apo ankesë nga ndonjë qytetarë në lidhje me shpenzimet e kurimit nga COVID 19”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Ajo çfarë ka bërë Avokati i Popullit është nisja e “një hetim me vet-iniciativë (ex officio) për të hetuar çështjet që kanë të bëjnë jo vetëm me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID 19 por edhe ligje dhe akte tjera normative të cilat kanë të bëjnë me pandeminë dhe ndikimin e tyre në të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Kjo për arsye që edhe ankesat në përgjithësi nga qytetarët më shumë kanë qenë të orientuara në këtë drejtim, derisa kthimi i parave të shërimit ka mbetur projeksion, njëjtë si vetë ligji.