Ligji për Pagën Minimale| Osmani takon sot përfaqësuesit e OVL UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i takojë gjatë ditës përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidencës.

Ndryshe, një ditë më parë veteranët kërkuan takim me Osmanin “për shkak të lënies jashtë të kësaj kategorie në Ligjin për pagën minimale”.

Të shtunën në Prishtinë u organizua një protestë në mbështetje të kësaj kërkese për veteranët.

Nga pjesëmarrësit u deklarua se do të ketë edhe protesta të tjera në rast se ky ligj dekretohet pa marrë parasysh kërkesat e tyre.

Ligji për pagën minimale është miratuar në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten e 13 korrikut.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se katër ditë që kur deputetët e mazhorancës pa praninë e opozitës votuan këtë ligj, i njëjti ende nuk ka shkuar për nënshkrim në Presidencë. 

“Ligji është ende në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka ardhur në Presidencë. Kur të vjen, do të analizohet sikurse edhe ligjet e tjera”, ka thënë Kupina të hënën.