Ligji i Pagave përfundon sot në Gjykatën Kushtetuese

Ligji i Pagave sot do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Burimet e gazetës Nacionale kanë bërë me dije se sot pasdite Avokati i Popullit do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e Pagave. Kjo pasi në këtë institucion janë paraqitur mbi 90 ankesa kundër këtij ligji.

Ligji i Pagave, i cili ka hyrë në fuqi më 5 shkurt, nuk ka kapërcyer pa një debat të madh shoqëror.

E ky debat, siç duket po merr edhe rrugën e vet juridike e ligjore.

Sipas një burimi brenda institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka folur për Nacionalen, ka thënë se këtë të premte ligji do të dërgohet në Gjykatën Kushteutese për vlerësimin e Kushtetutshmërisë së këtij Ligji.

“Institucioni i Avokatit të Popullit sot pritet që Ligjin për Pagat ta dërgon në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme. Kjo do të bëhet për shkak të numrit të madh të ankesave që kanë ardhur për këtë ligj. Deri me tani janë pranuar 90 ankesa”, ka thënë burimi i gazetës.

Këto janë vetëm disa nga institucionet që u ankuan te Avokati i Popullit:

Shoqata Sindikale e Shërbimit Sprovues të Kosovës –(SHSSHSK)
Sindikata e Policisë së Kosovës
Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës
Shoqata Sindikale e punëtorëve Autoritetit të Aviacionit Civil-AAC-së (SPAAC)
Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm
Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD)
Këshilli Prokurorial i Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Qendra për Punë Sociale-Komuna e Prishtinës
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU)
Zyra e Rregullatorit për Energji – ZRRE
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM)
Këshilli Gjyqësor i Kosovës
Administrata Qendrore e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës
Stomatologët specialist që punojnë në Kujdesin Primar Shëndetësor
Mësimdhënës të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” – Ferizaj
Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës
Auditorët e brendshëm
Infermierët
Grupi i Laborantëve të Lartë Mjekësor
Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës
U votua pa opozitën

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projekligjin për Paga në Sektorin Publik me 63 vota pro.

85 deputetë ishin të pranishëm në sallë nga ta 63 votuan për Projekligjin për Paga.

“64 deputetë kanë votuar 63 për asnjë kundër dhe një abstenim, miratohet Projektligji për Paga në Sektorin Publik”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Partitë opozitare nuk morën pjesë fare në votim.

Këto parti e kishin kundështuar shpër këtë ligj. Sipas tyre, vlera e koeficieentit duhet të ishte më e lartë.

Për këtë ligj, kishte shumë reagime qysh në fillim. Shumë paqartësi e përcollën procesin qysh nga fillimi sipas organizatave që e përcjellin punën e Qeverisë, e sipas opozitës gjithashtu.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kishte reaguar pas votimit në Kuvend.

“Të gjithë janë në terr informativ”, sipas Tahirit, pasi që ende nuk është specifikuar se sa do të jetë koeficienti i pagave.

Tahiri e ka uruar Kryeministrin Kurti me fjalët “Urime Kryeministër” meqenëse sipas tij, ai është i vetmi që e din se sa do të jetë paga e tij, për të cilën, pretendoi se “e ka rritur”.

“Imagjinoni, ligji i pagave që u miratua sot nga mazhoranca e VV-së, i ka lënë në terr informativ të gjitha kategoritë e punëtorëve në sektorin publik, mjekët, profesorët, shërbyesit civil, mësimdhënësit, policët, prokurorët, gjyqtarët, infermierët, zyrtarët në nivel qendror e lokal, të cilët nuk e kanë të qartë se cila është vlera e koeficientit të pagës së tyre, rrjedhimisht, absolutisht të paqartë se sa do të jetë paga e tyre. Ky ligj i pagave, lirisht mund të quhet ligji për pagën e Albin Kurtit, sepse askush tjetër përveç tij, nuk e di koeficientin e pagës së vet, ndërsa kryeministri që ia ka rritur pagën vetës, është i vetmi që e di se sa vlen një koeficient dhe se si përkthehet ai në vlerë monetare si pagë. Urime Kryeministër!”, ka shkruar Tahiri.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këtë ligj e kanë quajtur “terr informativ”.

Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri ka thënë se kalimi i Ligjit për Paga është manipulim dhe sipas tij po shihet edhe si një “mashtrim tjetër i radhës”.

“E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ndërsa, deputetja Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Ligji i Pagave u votua sot, por Qeveria nuk e din kur do të hyn në fuqi.

“Qeveria e praktikantëve. Ligji i Pagave u votua, por Qeveria nuk e di kur hyn në fuqi ky ligj. Sepse vlera monetare e koeficientit të pagave duhet të caktohet me Ligj të Buxhetit. Ligji i Buxhetit për 2023 ka kalu në lëxim të dytë me 15.12.2022. Rrjedhimisht Qeveria duhet të bëjë rishikim të Ligjit të Buxhetit për me caktu vlerën e koeficientit. Kur do të këtë rishikim të Ligjit të Buxhetit? Kur do të hyjë Ligji i Pagave në fuqi?”, ka shkruar Bajrami.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka treguar për Gazetën Nacionale se gjatë ditës së mërkurë i ka dërguar një analizë me 10 pika, 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth Ligjit të Pagave.

Në njërën nga pikat e kësaj analize, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka paraqitur mungesën e sigurisë juridike për Ligjin e Pagave.

“Neni 9 i Projektligjit ka përcaktuar se “Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”. Kështu, përkundër ndërtimit të koeficientëve, ky Projektligj nuk ka përcaktuar vlerën e këtyre koeficientëve. Kështu, nga ky Projektligj, asnjë zyrtar publik nuk ka mundësi që të dijë se cila do të jetë paga e tij. Për më tepër, ky Projektligj nuk ka ndërtuar as indikatorë të caktuar mbi bazën e të cilëve do të mund të supozohej se cila do të ishte vlera e koeficientit. Në mungesë të përcaktimit të vlerës së koeficientit, është kontradiktor përcaktimi i Projektligjit [neni 10.1] se “Vlera monetare e koeficientit e përcaktuar sipas këtij ligji, mund të ulet vetëm me ligj”. Përkundër që në këtë nen referohet në vlerën monetare të koeficientit e caktuar sipas këtij ligji, realisht, ky ligj nuk e ka përcaktuar fare këtë vlerë. Për këtë arsye, ky formulim ligjor nuk ka mbështetje. Për këtë arsye, në drejtim të respektimit të parimit të sigurisë juridike, ku bënë pjesë edhe parimi i parashikueshmërisë, është e rëndësishme që po në këtë Projektligj të përcaktohet vlera monetare e koeficientit, e cila vlerë më pastaj mund të ngritet përmes Ligjit për Buxhetin, por assesi të ulet”, thuhet në analizë.

Miftarja ka bërë të ditur  se në këtë analizë kanë paraqitur edhe një pikë ku kanë thënë se ky ligj është në kundërshtim me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje sa kishte qenë në opozitë.