Sipas raportit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nga aktivitet e paligjshme në veri të Kosovës buxheti i shtetit humb rreth 750 mijë euro në javë, ku zhvillohet kontrabandë me derivate, kontrabandë e materialit ndërtimor, e barnave, e cigareve etj. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se brenda vitit nga këto aktivitete ilegale arka e shtetit humb rreth 40 milionë euro në vit, shkruan Gazeta “Zëri”.

Raporti shkruan edhe për lidhjet e Radojiçiqit me elitat politike në Kosovë dhe në Serbi. Theksohet se njëri nga ortakët e Veselinoviqit është Milan Radojiçiq, që deri tani vonë ishte një person gati i panjohur, që kishte në pronësi një restorant në Mitrovicën e Veriut.

Gjërat ndryshuan pas vrasjes së politikanit serb nga veriu, Oliver Ivanoviq. Para se të vritej Ivanoviq dha një intervistë për Rrjetin e Gazetarëve Investigativë të Ballkanit (BIRN) dhe tha se Radojiçiq ishte “sundimtari i zi i veriut të Kosovës” dhe “një figurë kryesore në një sistem pushteti të frikshëm në veri të Kosovës”.

Po kështu Ivanoviq, sipas këtij raporti, tha se pushteti në veriun e Kosovës nuk u përkiste zyrtarëve të zgjedhur dhe institucioneve vendore dhe se Radojiçiq kishte akumuluar shumë pushtet dhe ndikim në proceset vendimmarrëse. Në qershor 2018, kur interesi nga ana e publikut mbi këtë çështje kishte arritur kulmin, Radojiçiq u zgjodh zëvendëskryetar i Listës Serbe, që mund të konsiderohet si partia motër në Kosovë e Partisë Progresive në Serbi.