Lideri i opozitës në Bahrejn dënohet me burgim të përjetshëm

Është dënuar me burgim të përjetshëm lideri i opozitës së Bahrejnit, Sheikh Ali Salman. Gjykata e Apelit në këtë shtet deklaroi se Al Salman është gjetur fajtor për spiunazh në favor të shtetit rival, Katarit. Ky vendim erdhi pasi Gjykata e Lartë e Bahrejnit e kishte akuzuar muaj më parë udhëheqësin opozitar për bashkëpunim të dyshimtë me Katarin. Rrjedhimisht, Bahrejni ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Katarin vitin e kaluar.

Grupi “Amnesty International” e ka përshkruar këtë vendim të gjykatës si dështim të drejtësisë. “Ky vendim paraqet përpjekjet joligjore dhe të ashpra të autoriteteve shtetërore që ta shtypin çdo formë të kundërshtimit dhe pakënaqësisë. Al Salman është një i burgosur që po mbahet në burg vetëm për shkak të ushtrimit të së drejtës për shprehje të lirë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Në anën tjetër, prokurori publik deklaroi se Al Salman është burgosur për shkak të akteve armiqësore, duke komunikuar me zyrtarët e Katarit, me qëllim të rrëzimit të rendit kushtetues. Sidoqoftë, akuzat që u ngritën para shtatë vitesh u bënë publike tek në vitin e kaluar, kur Bahrejni, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti i ndërprenë marrëdhëniet me Katarin. Këto shtete e akuzuan Katarin se po i përkrahte grupet terroriste dhe se po mbante lidhje shumë të ngushta me Iranin, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.