Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka refuzuar ftesën e Albin Kurtit për një takim dhe e ka akuzuar Kryeministrin e shkarkuar se po e nënçmon Kosovën kur po merr donacione nga Serbia.

Ish-Shefi i Qeverisë ka thënë se Kurti kur pranoi donacionin me 1 mijë teste nga Serbia e nxori Kosovën të paaftë si shtet për të blerë teste për koronavirusin.

“Ftesat tuaja për koordinimin e bashkëveprim pas vendimeve të njëanshme që po rezultojnë të dëmshme e të dështuara, ju janë shndërruar në ritual lutje për falje dhe shpëtim. E dëshmove edhe në rastin kur hoqe taksën ndaj Serbisë pa asnjë nder e kundërvlerë, pa e përfshirë donacionin e djeshëm me 100 teste serbe në formë lëmoshe, duke nënçmuar Kosovën për paaftësi në raport me furnizimin e ligjshëm dhe të mundshëm në kohë përmes blerjeve të drejtpërdrejta apo donacioneve nga shtete mike të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në letrën drejtuar Kurtit.