Liderët evropianë nderojnë viktimat e përmbytjeve

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë vizitën e dytë në rajonin e shkatërruar nga përmbytjet në kohën kur po vazhdon puna për pastrimin e Gjermanisë perëndimore dhe Belgjikës së vërshuar nga mbetjet dhe për të gjetur të mbijetuarit e mundshëm.

Deri tani, 196 persona janë konfirmuar si të vdekur pas vërshimeve – 165 në Gjermani dhe 31 të tjerë në Belgjikën fqinje. Merkeli është zotuar se do të ketë ndihmë të shpejtë financiare dhe se do të dyfishohen orvatjet politike për t’u përqendruar në luftimin e ndryshimit klimatik.

Merkel ka vizituar të martën qytezën e Bad Munsteraifellit, pak kilometra larg prej fshatit të shkatërruar Shuld, të cilin e vizitoi dy ditë më parë.

Bashkë me të ishte edhe guvernatori Armin Lashet, i cili shihet si zëvendësues i Merkelit për zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

Në Bruksel ndërkaq, ambasadorët dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë mbajtur një minutë heshtjeje për të nderuar viktimat e përmbytjeve në Evropën Perëndimore. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ishte në mesin e anëtarëve të grupit që morën pjesë në homazh. Janë ulur edhe flamujt në gjysmështizë.