Në samitin historik të NATO-s në Uashington të Shteteve të Bashkuara (SHBA), ku u shënua 75-vjetori i aleancës, liderët e NATO-s riafirmuan vazhdimin e përkushtimit ndaj sigurisë së Kosovës, posaçërisht në dritën e realiteteve të reja gjeopolitike pas agresionit të paprovokuar rus.
Në deklaratën e NATO-s, në pjesën kushtuar sigurisë në Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera thuhet: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe forcën e udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR)”.
“Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik për të mbështetur paqen, sigurinë dhe luftimin e ndikimit malinj, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë”.
Sot, siguria në Kosovë mbikëqyret nga KFOR-i. Por, pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s, shtatorin e vitit të kaluar ndodhi një sulm i armatosur nga një grup i paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për stabilitetin rajonal.
Pas shpërthimit të dhunës vitin e kaluar në veriun e trazuar të vendit, aleatët dislokuan rreth 1 mijë forca rezervë – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit. Gjithashtu, misioni i KFOR-it trefishoi numrin e patrullave, duke përfshirë edhe kontrollet përgjatë vijës kufitare.
Megjithatë, ndryshe nga deklarata e vitit 2023 në Vilnius të Lituanisë, kësaj here, në pjesën kushtuar Ballkanit Perëndimor, nuk përmendet askund “mbështetja” për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.
Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve rajonalë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike, rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.







