Liderët e BE-së pohojnë mbështetjen për sigurinë e Izraelit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shprehu sot shqetësimin e saj të madh për përshkallëzimin e dhunës në Izrael dhe Gaza.

“Unë dënoj sulmet pa kriter të Hamasit ndaj Izraelit”, shkroi von der Leyen në Twitter.

“Civilët nga të gjitha anët duhet të mbrohen. Dhuna duhet të marrë fund tani”, shtoi ajo.

Kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell bëri thirrje për qetësi të enjten në mbrëmje, duke thënë se ai kishte “ripohuar mbështetjen e BE-së për sigurinë e Izraelit duke dënuar lëshimin pa kriter të raketave të Hamasit” në një telefonatë me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabi Ashkenazi, raporton ATSh.

“Është e rëndësishme që çdo përgjigje të shmangë viktimat civile”, tha Borrell.

Udhëheqës të tjerë të BE-së, gjithashtu, shprehën alarmin mbi situatën gjithnjë e më të tensionuar, ndërmjet tyre edhe kryeministri holandez Mark Rutte dhe ministrja belge e Punëve të Jashtme Sophie Wilmes.

Presidenti francez Emmanuel Macron ofroi ngushëllimet e tij për viktimat e sulmeve nga Hamas dhe “grupe të tjera terroriste” në bisedimet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, sipas Pallatit Elysee.

Ai gjithashtu dënoi me forcë sulmet duke përsëritur “mbështetjen e tij të palëkundur ndaj sigurisë e Izraelit”.