Riad

Liderët arabë dhe myslimanë bëjnë thirrje për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit gjatë samitit në Arabinë Saudite

Udhëheqësit në Samitin e Jashtëzakonshëm të Përbashkët Arabo-Islamik në Riad, kanë përsëritur thirrjet për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, gjatë takimit të shtunën në Arabinë Saudite.

Rezoluta përfundimtare e lëshuar nga samiti i përbashkët arab dhe islamik në Riad kërkon fundin e asaj që e përshkruan si agresion të Izraelit kundër Gazës, si dhe “krimet e luftës dhe masakrat barbare, brutale dhe çnjerëzore”, transmeton Telegrafi.

“Ne dënojmë agresionin izraelit kundër Rripit të Gazës, krimet e luftës dhe masakrat barbare, brutale dhe çnjerëzore të kryera nga qeveria pushtuese koloniale kundër popullit palestinez, duke përfshirë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jerusalemin Lindor. Ne kërkojmë të ndalet menjëherë”, thuhet në rezolutë.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi gjithashtu ndodhet në kryeqytetin saudit për këtë samit, njëherësh udhëtimi i parë i një lideri iranian në Arabinë Saudite në 11 vjet, pasi të dyja vendet rivendosën marrëdhëniet diplomatike në mars.

Raisi tha se të pranishmit ishin mbledhur atje në emër të botës islame për të “shpëtuar palestinezët”.

Ndërkohë, Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman tha: “Ne e kundërshtojmë kategorikisht këtë luftë brutale” në fjalët e hapjes.

Në këtë samit gjithashtu folën edhe presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, presidenti sirian Bashar al-Assad dhe Emiri i Qatarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.

Të gjitha palët bënë thirrje për t’u rivendosur paqja në Gaza dhe tek palestinezët.