Liburn Aliu tregon pse djali i tij nuk fut në karantinë pas kthimit nga Amerika

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu ka reaguar pas raportimeve se djali i tij i ardhur nga Amerika nuk ishte karantinuar në qendrën e studentëve ashtu siç parashihet me masat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Aliu ka thënë se djali i tij është 17 vjeç dhe se në këtë moshë si i mitur nuk lejohet karantinimi.

Reagimi i plotë:

Sot thuajse tërë ditën ishte temë çështja e kthimit të djalit tim nga ShBA-të dhe vetizolimit të tij në shtëpi. U manipulua shumë nëpër portale dhe u përcoll edhe me komente të shumta fyese.

Eneu është 17 vjeçar dhe në kthimin e tij në Kosovë ishte pa përcjellje te prindit. Në bazë të rregullorës së Ministrisë së Shëndetësisë, atij, si i mitur dhe pa përcjellje, nuk i lejohet karantimi.

Nëse ai do të ishte 18 vjeçar, do të karantinohej pa hezitimin më të vogël.

Ai tash është në vetizolim për 14 ditë, duke iu bindur rregullave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sa për qëndrimin në Amerikë, Eneu përfundoi atje vitin e dytë të shkollës së mesme, si bursist i programit “YES” që financohet dhe kontrollohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.