Liburn Aliu jep detaje për marrëveshjen në Beograd

Qysh në vitin 2020, ish-presidenti Hashim Thaçi, së bashku me ish-emisarin Richard Grenell, kishin nënshkruar një letër interesi për korridorin Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje ishte theksuar se duhet të hapen rrugët midis pikë kalimit kufitar Merdar që lidhen përmes linjave ekzistuese.

Për këto projekte, ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, mori pjesë në samitin e organizuar nga Bashkimi Evropian në Beograd, ku nënshkroi  një marrëveshje rreth linjave hekurudhore.

“Traktati i cili u nënshkrua ka të bëjë me harmonizimin e legjilacionit në mes të vendeve, me modernizimin  e koridoreve, linjave hekurudhore në mënyrë që të normalizohet një komunikim, transport në mes vendeve të ballkanit”, tha Aliu

Ministri Aliu kërkoi  të realizohet një korridor i ri, meqë Kosova  është lënë anash në këto marrëveshje.

“Në Beograd unë kam ngritur çështjen e korridoreve të reja, korridoret ekzistuese në Ballkan, Kosovën e lënë anash, Shkupi i ka dy korridore që kalojnë, poashtu Beogradi i ka dy korridore, këto korridore fatkeqësisht nuk kalojnë nëpër Kosovë”, tha tutje ai.

Beogradi kishte kërkuar që të realizohet një linjë nga Prishtina në Nish, por me këtë nuk u pajtua pala kosovare duke theksuar se duhet të bëhet një korridor i ri, që duhet të kalonte nga Durrësi nëpër Prishtinë

“Është kërkuar të bëhet një linjë nga Prishtina në Nish, por kjo linjë nuk do të kishte kuptim vetëm  nëse do kishim me lidh Prishtinën me Durrësin, është e domosdoshme që të insistohet nga ne por edhe nga republika e shqipërisë sepse ka fonde edhe bashkimi evropian që të bëhet linja Prishtinë-Durrës”, shtoi Aliu.

Të gjitha këto u thanë në një  konferencë të organizuar në pistën e Aeroportit të Prishtinës ku, Ministri Aliu së bashku me gjeneralin e Kforit dhe drejtorin e operimeve kanë folur rreth zgjerimit të pistës ajrore e cila mundëson hapjen e rrugëve të reja me shtetet fqinje. (RTK/Venhar Isufi)