Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, i ka reaguar drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiut, i cili sot tha se Albin Kurti e Hashim Thaçi kanë pasur dy takime të gjata, përveç 4-minutëshit në Presidencë.
Aliu thotë se deklarata e Haxhiut në televizionin e tij është e pavërtetë dhe kjo, sipas zyrtarit të lartë të VV’së, tregon nivelin që ai ka rënë.
“E ka humbë Batoni udhën në oborr. Traumë të pashërueshme i ka shkaktu Albini. Rrena e tij e fundit në lidhje me gjoja takimin e Albinit me Hashimin, tregon se në çfarë niveli ka devalvu ky, madje edhe si spiun. Për këtë rrenë të lodhtë, Stanishiqi shkelma prej zyrës e kish qitë. – Marsh bitango”, ka shkruar Aliu.
Ndërkaq në një përgjigje, Zyra për Media e VV’së ka mohuar se kreu i saj është takuar në mënyrë sekrete me presidentin Thaci.
Madje, sipas VV’së, Haxhiu u deklarua asisoj vetëm që ta nxjerrë Thacin nga situata që, sipas tyre, e ka vënë VV’ja së fundmi.
Publicisti Baton Haxhiu insiston në vërtetësinë e deklaratës së dhënë në Info Magazine të Kushtrim Sadikut, se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi janë takuar edhe dy herë të tjera, para takimit zyrtar të 6 janarit në Presidencën e Kosovës.
“Z.Thaçi dhe Z.Kurti janë takuar dy herë. Dhe kanë biseduar gjatë”, ka thënë ai në Info Magazine, duke u reaguar në deklaratën e drejtuesit të emisionit se takimi prej katër minutash i Thaçit dhe Kurtit ishte shumë i shkurtër.
Pas kësaj ka reaguar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Haxhiut.
Në këtë reagim nga Lëvizja Vetëvendosje është përgjigjur publicisti Haxhiu, duke dhënë edhe detaje tjera për dy takimet e Albin Kurtit me Hashim Thaçin.
“Më vjen keq që ky lajm, i cili do të konsiderohej normal në secilin vend të botës merr kësi reagimesh. S’e di pse kane frikë nga takimet”.
“Para takimit zyrtar kanë ndodhur edhe dy takime tjera. Për hir të korrektësisë nuk dua ta përmend ndërmjetësuesin. Takimi i parë ka ndodhur me ndërmjetësimin e një institucioni ndërkombëtar. Takimi i dytë ka ndodhur me pajtimin e të dyve, pa ndërmjetësim. E kuptoj z.Manxhuka për reagimin e tij. Ai e ka thënë të vërtetën e tij. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me siguri nuk i ka treguar për këtë takim askujt nga partia e tij. Pres nga Albin Kurti të më demantojë vet ai, nëse takimet nuk kanë ndodhur. Nëse kam gënjyer, unë heq dorë nga jeta publike. Por, nëse ka gënjyer ai, duhet t’i kërkojë falje anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, sepse nuk pranoj kërkim-falje nga ai”.







