Veprimtaria e Faik Konicës vjen e përmbledhur në një libër nga Profesor doktor Isak Shema, i cili paraqet dokumente arkivore të dosjes së veçantë të Arkivit në Bruksel.
”Veprimtaria e Faik Konicës, Bruksel 1896-1902” do të promovohet më 20 mars, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
“Gjuha shqipe është gjuhë me shije, e bukur dhe e bekuar”, kështu kishte porositur shkrimtari shqiptar Faik Konica, derisa përpiqej të përhape idenë që gjuha e lashtë shqipe të përdorët gjithandej.
Diplomati shqiptari kishte arritur të ndërtojë idenë themelore si duhet të shkruhet, mësohet e unifikohet gjuha shqipe. Për këtë flet për KosovaPress, profesori Isak Shema, i cili pas qëndrimit studiues në Universitetin e Brukselit, sjell këtë libër bazuar në materialet arkivore të fondit “Faik Knitca”.
E ky fond arkivor publikohet për të parën herë dhe plotëson botimin e përmbledhjes së punimeve në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera. Përmes këtij libri, Shema tregon se faza e parë e angazhimit patriotik e Faik Konicës ka qenë shumë e rëndësishme për njohjen e qytetërimit shqiptar, forcimin e lëvizjes shqiptare për liri dhe pavarësi kombëtare. Ai flet për kohën kur Faik Konica pas përfundimit të studimeve nga Parisi kalon në Bruksel me idenë për të botuar revistën “Albania”. E
prej atëherë, Konica ka filluar të shkruajë poezi, proza poetike, artikuj publicistik e tregime.
Tutje, Shema flet për vitin 1902 kur Konica detyrohet ta lëshojë Brukselin, e të kalojë në Londër deri më 1908.
Shema e ka ndarë librin në tre pjesë, ku në pjesën e parë përfshihen studimet për Faik Konicën. Autori vlerëson se me paraqitjen e dokumenteve arkivore të dosjes së veçantë të Arkivit të Brukselit, ndriçohen më mirë disa aspekte të jetës dhe krijimtarisë së Faik Konicës, që njihet si personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe evropiane.
Libri i Isak Shemës tashmë i është dhuruar Bibliotekës në Prishtinë, Institutit Albanologjik dhe gjendet nëpër librari. Shumëçka nga jeta e Faik Konicës, që nuk është ditur më parë, vjen përmes këtij libri, që tashmë gjendet edhe në Shqipëri.
Faik Konica shquhet ndër njerëzit më të ditur të kohës së tij, dhe është konsideruar ndër intelektualët më të njohur në Evropë







