Pas shumë përpjekjeve, kosovarët përfundimisht udhëtojnë pa viza nga ky vit.

Anise presidenti francez, Emmanuel Macron, kërcënonte me pezullim të vendimit për liberalizim për kosovarët, për çështje dialogu politik, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Por, çka pas?

Në të vërtetë ka disa kritere dhe rregulla të cilat duhet të ndiqen, në mënyrë që të mos rrezikohet liberalizimi i fituar pas shumë vitesh dialog.

Veçanërisht, përafrimi i pamjaftueshëm i liberalizimit me politikën e vizave të BE-së mund ta kthejë një vend pa viza në një qendër transiti për hyrje të parregullta në BE, veçanërisht për vendet në afërsi të BE-së.

Udhëtimi pa viza mund të rezultojë gjithashtu në shtimin e migrimit të parregullt nëpërmjet qëndrimit të tepërt nga udhëtarët pa viza ose nëpërmjet kërkesave për azil të paraqitura në numër të madh nga shtetas nga vende të treta pa viza me norma të ulëta njohjeje (kërkesa të pabazuara për azil).

Për më tepër, skemat e nënshtetësisë së investitorëve të operuara nga vende të treta me akses pa viza në BE mund të rezultojnë në rreziqe ose kërcënime për sigurinë e BE-së, duke përfshirë rreziqet që lidhen me infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin, dhe lejojnë Qasje pa viza në BE për shtetasit e vendeve të treta që përndryshe do të kërkoheshin nga viza.

Duke qenë se shumë vende ishin skeptike për shtetin e Kosovës, në çështjen e liberalizimit, për të qetësuar vendet anëtare të BE-së, Brukseli ka përpiluar mekanizmin specifik që rikthen vizat për vendet që nuk u përmbahen kritereve.

E për të pezulluar liberalizimin duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së.

Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Europian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.

Fillimisht, vendi do të monitorohet, në këtë rast nëse Kosova u përmbahet kritereve për të cilat ka dialoguar disa vite për të fituar këtë të drejtë udhëtimi.

Tutje, nëse rezulton devijim, mekanizmi pra, do të lejonte pezullimin e liberalizimit me ndonjë prej 60 vendeve që kanë marrëveshje të tilla, mes të cilave është edhe Kosova.

Në kushte të tilla ka të paktën katër skenarë kyç nga të cilat do të aktivizohej mekanizmi i pezullimit të liberalizimit.

  1. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.
  2. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.
  3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.
  4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

‘’Për më tepër, siguria e BE-së dhe kufijtë e saj të jashtëm janë ndikuar thellësisht nga ngjarjet e fundit gjeopolitike, duke treguar se veprimet e disa aktorëve të huaj mund të paraqesin kërcënime serioze për interesat e sigurisë së Bashkimit. BE-ja duhet të jetë mirë e përgatitur për të reaguar me shpejtësi ndaj një game të gjerë rreziqesh të mundshme të sigurisë në të ardhmen, duke përfshirë kërcënimet hibride’’, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga BE dhe Komisioni Europian.

Por, në një lundrim në kohë, deri tani vetëm një herë ka ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit.

Ishte më 2019 rasti kur Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Dhe si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi.

Megjithatë pavarësisht kësaj, Komisioni Europian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë holandeze.

Kujtojmë që sipas rregulloreve të BE-së, skemat e nënshtetësisë së investitorëve (ose programet e shtetësisë për investim, të quajtura zakonisht si “pasaporta të arta”) të drejtuara nga vendet pa viza paraqesin një sërë rreziqesh sigurie për BE-në.

Sipas kumtesës vendet që kanë marrë përjashtimin e vizave përmes dialogut për liberalizimin e vizave janë nën vëzhgim të ngushtë në kontekstin e raportimit të rregullt sipas mekanizmit të pezullimit të vizave, si dhe përmes raporteve të zgjerimit, aty ku është e aplikueshme.

Në Paketën e Zgjerimit 2022 dhe në Raportin e Pestë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit, Komisioni bëri rekomandime të qarta për të hequr në mënyrë efektive ose për t’u përmbajtur nga miratimi i skemave të shtetësisë së investitorëve.

Gjithashtu, kjo çështje trajtohet edhe në kuadër të dialogut të rregullt politik si dhe në takimet e Nënkomisionit për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Siguri të organizuara në kuadër të Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe vendeve përkatëse.

E kur përmenden politikat e çështjes së liberalizimit, rikthehemi tek Franca, e cila hezitonte në udhëtimin e lirë të qytetarëve të Kosovës, si shkak i disa kushteve të dialogut.

“Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet”, shprehej presidenti francez, Emmanuel Macron.

Pas rrjedhjes së një deklarate të tillë, të menjëhershëm e pati reagimin presidentja Vjosa Osmani, e cila mbronte qytetarët e saj, duke iu përgjigjur presidentit francez.

‘’Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut’’.

Pavarësisht gjithë polemikave, dhe insistimeve, dialogu mbetet në ‘një koma’, e oksigjeni i tij del të jetë ‘liberalizimi i kosovarëve’./Telegrafi/

BONUS VIDEO: NJSI e Policisë Kufitare patrullon me barka lundruese në Ujman