“Liberalizimi i vizave në janar 2024”, reagon Pacolli: Kjo është e tepërt dhe e turpshme

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas raportimeve që liberalizimi i vizave për Kosovën mund të hyjë në fuqi në janar të vitit 2024.

Në një postim në Facebook, Pacolli këtë vendim e ka quajtur turp dhe e ka parë si mos respekt për qytetarët kosovarë.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën vetëm në janar 2024 është e tepërt!! Pa asnjë respekt për qytetarët kosovarë, në mes të Evropës, qytetarë që vazhdojnë të mbahen të mbyllur, pa asnjë arsye. Gjithë kjo shtyrje e pritje për qejfin e dikujt që Kosovën as nuk e ka njohur si shtet të pavarur. Sinqerisht turp!! Tani mos të flasim për vlera demokratike. Qytetarët e Kosovës do të presin edhe një vit por çka do të ndryshon, çka do të jetë ndryshe pas një viti?”, ka shkruar Pacolli.

Lidhur me këtë çështje, Pacolli e përfshiu edhe Shqipërinë.

“Mendoj që nga fillimi është dashtë që Shqipëria të lëshon masovikisht pasaporta edhe për qytetarët tonë, atë që e ka bërë Rumania për Moldavinë.”, ka vijuar ai.

Ndryshe, sot REL ka raportuar se pajtimi për viza u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.