Liberalizimi i tregut të energjisë mbetet sfidë

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike po mbetet sfidë në Kosovë. Kështu u tha në komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ku u diskutua për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për energjinë elektrike, me përfaqësues të KOSST-it, ZRrE-së dhe KEDS-it.

Anëtari i Komisionit, Dardan Sejdiu, tha se Ligji për Energjinë Elektrike, nuk është përmbushur si duhet.

“Ligji është ende në fazën e përpunimit. Dinamika për energjinë elektrike është e ngadalshme dhe niveli i përmbushjes së pritjeve që drejtojnë nga ky ligj është i pakënaqshëm. Liberalizimi i tregut nuk ka ndodhur. Edhe pse udhëzuesi paraqiste një kohëzgjatje me të madhe i njëjti nuk është implementuar sipas planit”, tha Sejdiu.

Kadri Kadriu, zëvendëskryeshef i KOSTT-it, ka folur për mosimplemtentimin e plotë të ligjit. Sipas tij, kërkesat e legjislacionit sekondar kanë qenë të përmbushura, por disa çështje kërkojnë kohë të implementimit, raporton EO.

Drejtori i Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Luan Morina, tha se mungesa e konkurrencës brenda vendit, paraqet sfidën për ata që marrin licencë dhe nuk ushtrojnë profesionin e tyre.
Ndërsa, Arbër Krasniqi, përfaqësues i kompanisë KEDS-KESCO, tha se kanë disa shqetësime. Ai kërkoi mbështetjen e Kuvendit për t’i mbuluar humbjet komerciale në rrjetin e shpërndarjes.

Afrim Ajvazi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, tha se edhe qëllimi i tyre ka qenë të krijohen parakushte për funksionimin e një tregu të hapur.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit, Sala Berisha Shala, ftoi të pranishmit që të organizojnë sa më shumë tavolina e konferenca gjatë së cilave mund të kontribuojnë dhe të sjellim ide të reja.