Lewandowski kërkon nga Bayerni përforcime
Robert Lewandowski e ka nxitur Bayern Munichun t’i transferojë edhe tre futbollistë të rinj, përderisa e ka shprehur zemërimin e tij me mungesën e prurjeve në skuadrën e kampionit të Gjermanisë.
Përderisa anësorët veteranë, Franck Ribery dhe Arjen Robben, u larguan në fund të kontratave të tyre, edhe James Rodriguez u largua dhe u kthye te klubi nga ku ishte huazuar për dy sezone, Real Madrid.
Pas largimit të tre lojtarëve të rëndësishëm, Lewandowski insistoi se klubi duhet ta zëvendësojë këtë treshe nëse dëshiron të vazhdojë me suksese dhe ta largojë rrezikun e Borussia Dortmundit në Bundesligë.
“Mendoj se kemi nevojë për tre lojtarë të rinj. Ne i humbëm tre lojtarë në sulm – Riberyn, Robbenin dhe Jamesin – dhe deri më tani nuk e kemi sjellë në skuadër asnjë lojtar të ri të dëshmuar për talentin e tij në atë zonë”, ka thënë Lewandowski.
Përderisa Bayerni ende nuk e ka marrë asnjë përforcim për repartin e mesfushës, gjermanët janë spekuluar për një transferim të mundshëm të Leroy Sanes, në vlerë prej 141 milionë eurosh.
Afati kalimtar i verës për klubet angleze do të mbyllet nesër, më 8 gusht, mirëpo Sane mund të transferohet në Bayern deri më 2 shtator, pasi që për klubet e tjera afati kalimtar nuk mbyllet deri më këtë datë.
Megjithatë, edhe nëse Bayerni arrin t’i sigurojë shërbimet e Sanes për sezonin e ardhshëm, Lewandowski beson se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme dhe ai i ka identifikuar edhe pozitat në të cilat duhet të përforcohet skuadra.
“Ne kemi nevojë për edhe një tjetër anësor – edhe nëse Sane vjen. Ndoshta kemi nevojë edhe për një gjashtësh dhe për një qendërsulmues.