Shije Shqiptare
Lëvizja “Shije shqiptare” themelohet edhe në Maqedoni
Katër chefat shqiptarë, tashmë të njohur ndërkombëtarisht, Armand Kikino, Faruk Neziri, Përparim Babalia dhe Sokol Prenga, këtë radhë u bashkuan për t`i dhururar Shkupit një natë me shije tërësisht shqiptare.
Në darkën e organizuar në Park Hotel, të dielen e fundit të tetorit, zyrtarisht u shënua themelimi i lëvizjes Shije Shqiptare, edhe në Maqedoni.
Me këtë rast, fytyra të njohura publike, politikanë, biznismen, gazetarë e publicist, me praninë e tyre ofruan përkrahjen e plotë për fuqizimin e kësaj lëvizjeje.
Sipas z. Talat Xhaferi, kryeparlamentar i Kuvendit të Maqedonisë, duhet që në vazhdimësi t`i zhvillojmë këto aktivitete, në mënyrë që atë që e kemi të përvetësuar profesionalisht deri në përfeksion t`ia tregojmë edhe botës tjetër. Sipas tij ky eventiment duhet të shënohet dhe mbetet tradicional.
Ndër të tjera, z. Xhaferi tha: “ Unë nuk kam dilemë në sukses, kur kemi parasysh kalibrin e njerëzve që janë bartës të këtij evenimenti”, duke vlerësuar kështu lartë, punën e cila po bëhet.
Në anën tjetër, Kryetari i Komisionit për Shënimin e 550 vjetorit të Skenderbeut, z. Jahja Lluka, në mesazhin e tij mbështetës për lëvizjen dhe aktivitetet e saj, i ofroi përkrahje edhe projektit të botimit të librit me gatesa dhe receta tipike shqiptare, zotim ky i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve në Maqedoni.
“Shija Shqiptare” në Maqedoni është vetëm ndalesa e radhës, në fillimin e rrugëtimit të rritjes së saj.
Kompania menaxhuese e lëvizjes Shije Shqiptare, Dynamic L.L.C., u zotua se me realizimin e planit të zhvillimit strategjik të lëvizjes, Shija Shqiptare do të ndërkombëtarizohet dhe shumë shpejtë do të bëhet pjesë e kuzhinave të njohura botërore, përderisa chefat u shprehën optimist dhe shumë entuziast për të ardhmen dhe planet e shijes.