Kreshnik Ahmeti

Lëvizja pa viza e serbëve me pasaporta ilegale, zv/ministri Ahmeti: Bie ndesh me marrëveshjet që BE-ja vet i ka ndërmjetësuar

Qeveria e Kosovës i ka shkruar një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me propozimin e Komisionit Evropian që qytetarëve të Kosovës me pasaporta serbe të lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë t’u mundësohet lëvizja pa viza.

Në letër thuhet se serbët e Kosovës janë duke marrë pasaporta të Kosovës në një numër në rritje të shpejtë këtë vit që kur Kosova fitoi të drejtën për udhëtim pa viza.

Zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, në një intervistë për Lajmi.net ka thënë se kjo nuk i kontribuon integrimit të vet serbëve në Republikën e Kosovës.

“Ky propozim nuk është mjet i cili I kontribuon integrimit të serbëve në Republikën e Kosovës dhe mbi të gjitha nuk e tregon një realitet. Pra vendbanimet të cilat janë të Republikës së Kosovës nuk mund të paraqiten si vendbanime të një shteti tjetër”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se propozimi i Komisionit Evropian bie ndesh me marrëveshjet e deritashme të arritura me Serbinë të ndërmjetësuara nga vet Bashkimi Evropian.

“Një propozim i tillë bie ndesh edhe me vetë marrëveshjet të cilat i kemi arritur në kuadër të dialogut që vetë Bashkimi Evropian e ndërmjetëson”, u shpreh ai.