Instituti hulumtues rus, “Levada Center”, nga data 11 deri me 17 qershor, ka kryer një hulumtim të opinionit rus, ku pjesë e hulumtimit ishte edhe propozimi i presidentit Putin për ndryshimet kushtetuese. Sipas “Levada Center”, në rast që propozimi i Putin për ndryshimet kushtetuese do të kishte edhe një alternativë tjetër, do të mbështetej nga vetëm 25% e rusëve.

Rënia e mbështetjes për Putin, në vetëm 25%, çka është mbështetja më e ulëta historike për Putinin, si dhe mbështetja e ulët për ndryshimet kushtetuese, si duket ka shqetësuar Presidencën ruse dhe partinë në pushtet “Rusia e Bashkuar”. Mediat ruse njoftojnë se gazetari i “TVrain”, Anton Bayev, ka arritur të sigurojë dëshmi për vjedhjen e madhe që është duke u përgatitur në Rusi, më qëllim që të votohen ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Putini.

Persona që besohet që janë të afërt me partinë në pushtet “Rusia e Bashkuar”, janë duke u angazhuar që të regjistrojnë sa më shumë persona, që do të votojnë online. Personat që janë duke u regjistruar rrejshëm pa dijeninë e tyre, janë kryesisht persona të shtyrë në moshë, pensionist.

Persona që janë duke regjistruar votues të rrejshëm, për çdo person të regjistruar paguhen nga 75 Rubla (pak më shumë se 1 dollar) dhe brenda ditës regjistrojnë deri në 20 persona. Regjistrimi i tyre bëhet në mënyrë elektronike, përmes SIM kartave falso, të cilat kanë të dhënat personale të pensionistëve, të cilat shërbejnë për regjistrim në regjistrin elektronik të votimit.

Sigurimi i SIM kartave të rrejshme, bëhet përmes kontaktit në WhatsApp, ku caktohet takimi dhe  dorëzohen SIM kartat e rrejshme, që shërbejnë për regjistrimin e votuesve të rrejshëm. Kontakt personi në WhatsApp është Oleg Viktoroviq.

Gazetarja e “TVrain” kishte arritur të zbulojë që Viktoroviq është Oleg Anikin dhe kishte arritur të kontaktoj me të përmes WhatsApp, duke caktuar takimin për furnizim me SIM karta të rrejshme. Kur gazetarja ishte takuar me Anikin, asaj i ishin dhënë 25 SIM karta të rrejshme dhe i ishin premtuar 75 rubla për çdo person të regjistruar.

Pas publikimit të shkrimit në lidhje me regjistrimet e votuesve të rrejshëm, gazetari i “TVrain”, Anton Baev është thirrur në bisedë informative në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sektorin e Luftimit të ekstremizmit, për dëshmitë që ai i ka, në lidhje me regjistrimin e votuesve të rrejshëm. Kjo po cilësohet si formë presioni ndaj gazetarisë hulumtuese që trajtojnë tema që nuk i përshtaten partisë në pushtet.

Votimi i ndryshimeve kushtetuese në Rusi, do t’i mundësonte Putinit, kandidimin edhe për dy mandate. Me kushtetutën e vjetër Putin nuk ka drejtë që të kandidohet edhe për një mandat, mandat i cili i përfundon në vitin 2024.