“Let’s Do It” e “River Cleanup” pastrojnë Drinin e Bardhë, bëhet thirrje për ruajtje të lumenjve

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, “Let’s Do It” në bashkëpunim me Lëvizjen Globale “River Cleanup” kanë filluar pastrimin e Lumit Drini i Bardhë në Radavc të Pejës.

Në aktivitetet e sotme që u mbështeten nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Meridian Express, morrin pjesë edhe shumë vullnetarë të rinj, si dhe nxënës të SHFMU-ve “Lidhja e Pejës” në Novosellë dhe “Hilmosi” në Jabllanicë, njofton kumtesa.

Fillimisht vullnetarët kanë pastruar hapësirat përreth Ujvarës, për të vazhduar pastaj me pastrimin e një pjese të Lumit Drini i Bardhë, tek ura në Novosellë, transmeton Ballkani.info.

Për “Let’s Do It”, ishte shqetësuese gjendja e biodiversitetit të cilën e hasëm aty – peshq të ngordhur, çfarë tregon që cilësia e ujit në atë pjesë të lumit tashmë është në gjendje alarmante dhe urgjentisht duhet ndërmarrë masa. Në aksionet e sotme të pastrimit u përdoren edhe makineri për depërtim në zona më të thella.

Siç njofton kumtesa, Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj, ka thënë se një ndër objektivat kyçe të Organizatës për këtë vit është pastrimi i lumenjve.

Ai u bëri thirrje banorëve të asaj zone për kujdes të shtuar ndaj mjedisit, veçanërisht lumenjve, që vizitohen si atraksione turistike.

“E shohim Lumin Drin që fatkeqësisht është në një gjendje jo të mirë. Qytetarët e pandërgjegjshëm e kanë ndotë dhe këto bukuri të rralla të cilat i ka kjo anë janë shëmtuar nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Nga këtë dua t’ju bëjë thirrje të gjithë banorëve të kësaj ane që mos ta ndotin këtë lum, sepse prej këtij lumi ujitet toka e të gjithë banorëve këtu prej të cilëve ne ushqehemi. Nëse lumin e kemi të ndotur nënkupton që edhe tokën e kemi të ndotur, do të ndoten edhe produktet të cilat i marrim nga toka. Pra duke pasur ujin e ndotur ne e dëmtojmë shëndetin tonë”, tha Hasanaj.

Ndërsa, Drejtori i Lëvizjes Globale “River Cleanup”, Tomas De Groote, e vlerësoi lartë punën e vullnetarëve, derisa u befasua nga mbeturinat e shumta që janë hedhur në lumë.

“Jam shumë i lumtur të jem këtu me Luanin dhe ekipin e Let’s Do It’. Është e çuditshme të shohim kaq shumë mbeturina të mbledhura me kaq shumë vite, gjithashtu është e mrekullueshme të shohim kaq shumë vullnetarë që kanë ardhur këtu të pastrojnë lumin. Me organizatën “River Cleanup” kemi ambicie të organizojmë pastrimin e lumenjve në gjithë Evropën. Këtë vit kemi 10 lumenj për të pastruar ky është i dyti, para disa javëve e kemi pastruar lumin Volda, është e rëndësishme të them ka me qindra njerëz që po marrin pjesë dhe është e mrekullueshme ta bëjmë këtë me ekipin”, ka thënë Tomas De Groote.

Për aktivitetet e sotme, vullnetarët e “Let’s Do It” morën lëvdata dhe falënderime edhe nga banorët lokalë.

Shaban Ramaj, kryetar i bashkësisë lokale në fshatin Radavc tha se tani e tutje do të kenë një kujdes të shtuar ndaj bukurive natyrore.

Ai kritikoi edhe organet komunale, të cilat kanë detyrë të bëjnë pastrimin dhe mirëmbajtjen e lumenjve.

“Ne si qytetarë si lokalitet duhet të jemi ma të kujdesshëm, dhe besoj që bashkë me juve e kemi bë një punë të mirë dhe vazhdojmë prapë të organizohemi me organizatën ‘Ta Pastrojmë Kosovën’. Megjithëse kjo është punë që duhet ta bëjë Komuna”, tha ai.

Aktivitetet për pastrimin e Lumit Drini i Bardhë sot janë zhvilluar edhe në komunën e Deçanit, e nesër do të zhvillohen edhe në komunën e Rahovecit e atë të Istogut, po ashtu edhe tek Ujëvara e Mirushës, ku parashihen të mbahen edhe aktivitete të tjera, disa prej tyre edhe argëtuese, bashkë me nxënës dhe vullnetarë të shumtë. /Ballkani.info