Gjykata Speciale

Letra misterioze për dëshmitarin në Hagë: Prokuroria insiston se s’duhet të ketë hetues të pavarur

Një letër që ka shkuar në adresën e Gjykatës Speciale lidhur me dëshmitarin 29, vazhdon të trazojë ujërat në Hagë. Pasi mbrojtja ka kërkuar një hetues të pavarur që ta hetojë këtë letër përmbajtja e së cilës nuk dihet, prokuroria po insiston që kjo kërkesë të refuzohet.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së javën e kaluar kërkoi që të caktohet një hetues i pavarur për të hetuar një letër, që ndërlidhet me dëshmitarin 29-të në Hagë. Dëshmitar i cili nuk ishte në gjendje të dëshmonte gjatë gjykimit, madje duke patur akuza të rënda se ia kanë falsifikuar nënshkrimin.

E nuk ka vonuar shumë që të arrijë përgjigja e Prokurorisë. Këta të fundit po kërkojnë që kërkesa e avokatëve të refuzohet pasi nuk ka bazë. Në letrën për këtë dëshmitar, siç raportoi Nacionale bazuar në parashtrime, ka informacione që rrezikojnë seriozisht krebilitetin e dëshmitarit.

“Së dyti, në Letër pretendohet se individi në fjalë (Redaktuar) dhe Mbrojtja argumenton se Letra kinse ofron dëshmi që provon se W04577 ka (Redaktuar). Edhe po qe se se, për hir të argumentit në fjalë, W04577 (Redaktuar), W04577 dhe ZPS-ja do të ishin në gjendjen më të mirë për të dhënë informacion relevant në këtë rast, e jo autori i Letrës. ZPS-ja ka shpaluar një numër materialesh relevante për këtë temë bazuar në interaksionet me W0457728 si dhe nga një burim tjetër identiteti i të cilit është i njohur për Mbrojtjen. Mundësia e Mbrojtjes për të hetuar besueshmërinë e W04577 mbi bazën e informacionet e këtij të fundit është e papenguar. Sa për (Redaktuar); si të tillë, nuk ka perspektivë të arsyeshme të sigurimit të informacionit të besueshëm në atë drejtim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Nacionale ka siguruar parashtrimin ku Prokuroria indirekt e pranon se në këtë letër, ka edhe detaje të cilat mund të ndikojnë në besueshmërinë e dëshmitarit. Megjithatë, thekson se kjo do të hetohet nga vet Prokuroria, e jo hetuesit e pavarur.

“Më tej, Mbrojtja është plotësisht e aftë të hetojë çdo çështje me besueshmërinë e W04577 nëpërmjet individëve të ndryshëm nga autori i letrës, mund të marrë në pyetje W04577 ose të paraqesë prova për cilindo nga pretendimet e përfshira në Letër dhe, në fund të gjykimit, mund të bëjë paraqitjet mbi besueshmërinë e W04577. 15. Prandaj, në kundërshtim me pohimin e Mbrojtjes,30 Mbrojtja ka rrugë të shumta hetimore që mund të ndiqte në mënyrë që të ishte në gjendje të kundërshtonte besueshmërinë e W04577, duke përfshirë në lidhje me pretendimet e paraqitura në Letër”, thuhet në këtë parashtrim.

Si rezultat, Prokuroria insiston se nuk duhet të caktohet ndonjë hetues i pavarur.

“Paneli duhet ta refuzojë mocionin. 1 Sipas kornizës ligjore dhe juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (‘DSK’), Zyra e Prokurorit të Specializuar (‘SPO’) është subjekti i vetëm i autorizuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, duke përfshirë dëshmitarët e prokurorisë. Mbrojtja nuk arrin të vërtetojë ndonjë konflikt interesi dhe emërimi i një hetuesi amicus nuk ka bazë në Ligj2 apo në Rregullore”, thuhet aty.

Letra misterioze

Kur u paraqit për të dëshmuar në tetorin e vitit të kaluar në seancë të Gjykatës Speciale, dëshmitari i 29-të në rastin e krerëve të UÇK-së, refuzoi ta bënte një gjë të tillë. Madje, ai ishte shprehur i gatshëm të shkonte në burg, por jo të përgjigjej.

Megjithatë, dukej që misteret e dilemat për këtë dëshmitar vetëm sa shtohen. Kjo pasi në emër të dëshmitarit është dërguar një letër në Hagë, e cila ka shkaktuar një situatë të re në komplet gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Nacionale ka parë dokumentin e dorëzuar nga avokatët e krerëve të UÇK-së të cilët kanë kërkuar që letra e këtij dëshmitari, të hetohet nga një hetues i pavarur, e jo Prokuroria e Specializuar. Madje, thuhet se pretendimet mund të jenë fatale për besueshmërinë e tij, dhe provave për gjykim.

“Mbrojtja për z. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi (“Mbrojtja”) kërkon nga Trupi Gjykues që të caktojë një hetues të hetojë pretendimet e përfshira në një mesazh të marrë nga ZPS në lidhje me W04577 (“Letra W04577”). Pretendimet e përfshira në mesazh ndikojnë drejtpërdrejt dhe janë potencialisht fatale për besueshmërinë e W04577. Identiteti i autorit të letrës W04577 është nga ana tjetër i domosdoshëm për çdo hetim mbi vërtetësinë e tyre”, thuhet në këtë parashtrim.

“Prandaj, meqenëse mbrojtja nuk është në gjendje të kryejë vetë hapat e nevojshëm hetimor për shkak të redaktimeve të autorizuara nga Trupi Gjykues, dhe Prokuroria është më tej në një situatë konflikti interesi pasi çështja e saj kundër katër të akuzuarve mbështetet, ndër të tjera, në besueshmërinë e W04577 , Mbrojtja kërkon që të caktohet një hetues i pavarur me qëllim që (i) të hetojë pretendimet e përfshira në Letër; (ii) të përgatisë një raport mbi rezultatin e hetimeve të tilla dhe (iii) t’i zbulojë Panelit dhe Palëve çdo material të marrë prej tij që bie nën Rregullat 102-103”, thuhet më tutje,

“Informacioni i përfshirë në letrën W04577, nëse është i besueshëm, është fatal për besueshmërinë e W04577 si dëshmitar. Shkurtimisht, ai ofron prova se W04577 gjoja, në mbështetje të motiveve të tij personale, ndër të tjera [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë parashtrim, raporton Nacionale.

Historia e dëshmitarit

Kur dëshmitari 29 shkoi për të dëshmuar në Hagë në muajin tetor të vitit të kaluar, seanca nuk u mbajt. Kjo pasi dëshmitari shprehi gatishmërinë të shkonte edhe në burg, por jo të përgjigjej në pyetjet e palëve për rastin e krerëve të UÇK-së.

“Më duhet pak pushim se nuk po ndihem mirë me shëndetin. Nuk mund të vazhdoj. Më duhet me u konslultu me një avokat rreth procesit, nuk po i kuptoj do sene bash mirë”, tha dëshmitari.

Teksa ishte pyetur nga Prokuroria e Speciales për një provë, deklaratë të cilën ky organ pretendon se ai e ka dhënë në vitin 2004, dëshmitari kishte mohuar që të gjitha. Madje, akuzonte se ia kanë falsifikuar nënshkrimin.

“Nënshkrimi që është në fund të deklaratës, nuk është i imi”, thoshte ai.

Më shumë se një muaj iu deshën Dhomave të Specializuara të Kosovës të njoftojnë (DhSK) për fatin e dëshmisë së dëshmitarit të 29-të (të mbrojtur, me kodin W04577) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili në seancën e 10 tetorit kishte refuzuar të dëshmojë.

“Në lidhje me dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur W04577, i cili ishte i pranishëm në gjykatë në tetor për të dëshmuar, Trupi Gjykues në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve miratoi kërkesën e Mbrojtësit kujdestar të dëshmitarit dhe shtyu këtë dëshmi deri në njoftimin e ardhshëm. Pas konstatimit të Zyrës për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve (“ZMMD”) se dëshmitari është i paaftë të dëshmojë për momentin. Trupi Gjykues urdhëroi ZMMD-në të jetë në kontakt me dëshmitarin dhe, varësisht nga pëlqimi i nevojshëm, t’i raportojë Trupit Gjykues çdo dy muaj për aftësinë e dëshmitarit për të dëshmuar”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ky dëshmitar kishte shkaktuar shumë reagime, pasi për të njëjtin, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kishte deklaruar se ka negociuar pako përfitimi me Prokurorinë për të dhënë dëshmi.

VIDEO BONUS: Limaj: Kuvendi cirk me njerëz të padijshëm – Koalicioni me AAK-në derë e hapur për qytetarët