Letra e Ibrahim Kelmendit për Hagën, Bardhyl Mahmuti: S’të pranojnë dëshmitar, je manipulues

Ish-zëdhënësi i UÇK-së për Zvicër, Bardhyl Mahmuti, ka reaguar ndaj Ibrahim Kelmendit, njërit nga themeluesit të LPK-së, pasi ky i fundit i shkroi letër Hagës nëpërmjet të cilës tha se Hashim Thaçi nuk ka qenë drejtor politik i UÇK-së, por marionetë e shërbimit sekret francez. Mahmuti në shkrimin e tij lë të kuptohet se Kelmendi po tenton të bëhet dëshmitar i Speciales, por Haga nuk do ta pranojë si të tillë

Sipas Kelmendit, Thaçi në pozitën e kreut politik është rekrutuar nga francezi Arnaud Danjean “shef i drejtorisë për Ballkanin pranë DGSE-së franceze”.

Kelmendi në letrën që ia ka dërguar Prokurorisë së Hagës rreth kësaj çështjeje muajin e kaluar, pretendon që bashkë me Hashim Thaçin dhe Bilall Sherifin agjentin francez e kanë takuar në një hotel në Gjermani. Kelmendi e ka publikuar edhe një fotografi nga ky takim duke thënë se bashkë me ta është edhe agjenti francez Arnaud Danjean. Pikërisht për këtë fotografi ka reaguar Bardhyl Mahmuti duke thënë se në atë fotografi nuk është fare Arnaud Danjean.

“Arnaud Danjean është deputet i Parlamentit Evropian dhe në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni mund të gjeni të dhënat e tij.

Ai është i lindur më 11 shkurt 1971 dhe rrjedhimisht, në qershor të vitit 1999, ai ka qenë më pak se 28 vjeç e gjysmë.

Fotografia që ti ia ke bashkëngjitur letrës tënde mund të manipulojë ndonjë lexues shqiptar që nuk i di gjërat, por jo edhe Prokurorinë Speciale në Hagë që kanë njëmijë e një mundësi ta verifikojnë identitetin e personave në foto! Prandaj, me gënjeshtra të tilla, nuk të pranojnë as për dëshmitar!

“Foto dëshmia” jote është një sajesë tepër e neveritshme që nuk ka asnjë qëllim tjetër pos manipulimit. Për këtë arsye më poshtë do të publikoj fotot dhe le të vlerësojnë lexuesit për vërtetësinë e asaj që pretendon ti”, ka shkruar Mahmuti.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e Mahmutit:

Ibrahim Kelmendi! Më vjen keq për ty, ku e ke katandisur veten! Nuk të pranojnë as për dëshmitar!

Kohëve të fundit kam qenë i ngarkuar me punë të tjera dhe nuk e kam parë që ti, Ibrahim Kelmendi, në cilësinë e “informatorit”, i ke shkruar një letër elektronike Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Republikës së Kosovës (ZPS), në të cilën pretendon se “presidenti Hashim Thaçi nuk ishte udhëheqës politik i UÇK-së, por marionetë e shërbimit francez dhe se ka qenë i komanduar prej saj për ato që duhet bërë”.

Për t’i mbështetur pretendimet tua, ti përmend takimin që keni pasur më 8 qershor 1999, në Hotel Maritim në Köln (Gjermani) ku përveç teje, Hashim Thaçit dhe Bilall Sherifit na paskësh qenë edhe “shef i drejtorisë për Ballkanin pranë DGSE-së franceze, Arnaud Danjean”. Madje, për të qenë sa më bindës në ato që thua, letrës tënde ia ke bashkëngjitur “foton si dëshmi konkrete për takimin”.

Arnaud Danjean është deputet i Parlamentit Evropian dhe në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni mund të gjeni të dhënat e tij.

Ai është i lindur më 11 shkurt 1971 dhe rrjedhimisht, në qershor të vitit 1999, ai ka qenë më pak se 28 vjeç e gjysmë.

Fotografia që t’i ia ke bashkëngjitur letrës tënde mund të manipulojë ndonjë lexues shqiptar që nuk i di gjërat, por jo edhe Prokurorinë Speciale në Hagë që kanë njëmijë e një mundësi ta verifikojnë identitetin e personave në foto! Prandaj, me gënjeshtra të tilla, nuk të pranojnë as për dëshmitarë!

“Foto dëshmia” jote është një sajesë tepër e neveritshme që nuk ka asnjë qëllim tjetër pos manipulimit. Për këtë arsye më poshtë do të publikoj fotot dhe le të vlerësojnë lexuesit për vërtetësinë e asaj që pretendon ti.

Në bazë të të dhënave në internet, kjo fotografi e Arnaud Danjeanit është bërë në vitin 2014, pra 15 vjet më vonë sesa takimi që pretendon ti. Siç shihet, edhe 15 vjet më vonë, ky tregon më i ri se personi në “dëshminë tënde”.

Ndërkaq, për shpifjet që e cilësojnë Hashim Thaçin “spiun francez” nuk kam çka i shtoj më shumë asaj që kam shkruar para katër vjetësh. Prandaj, për ata që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë reagimin tim në atë kohë, po e publikoj në tërësi.

Propaganda kundër Hashim Thaçit i ka rrënjët në Beograd

22 Shkurt 2016 Autor: Bardhyl Mahmuti

Në të gjitha momentet vendimtare të historisë së re të Kosovës udhëheqësit e saj janë sulmuar në mënyrën më të ulët të mundshme. Janë përdorur të gjitha mjetet për të denigruar personalitetet, të cilët, në këto momentet, kishin pozita kyçe.

Kështu, gjatë periudhës së luftës çlirimtare në Kosovë dhe fill pas përfundimit të saj, Shërbimi Sekret Serb përgatiti dhe orkestroi një fushatë histerike kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Rexhep Selimit, Elmi Reçicës, Adem Grabovcit dhe bartësve tjerë të UÇK-së.

Mbi 27 mijë faqe materiale të përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb në formë CD-shë dhe me mbi 2000 faqe në formë libri u shpërndanë zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Boshti kryesor rreth të cilit pështillej propaganda serbe kishte për qëllim që udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës të paraqiten herë si terroristë dhe udhëheqës të një strukture terroriste (UÇK-së), e herë si kriminel dhe udhëheqës të një strukture kriminale. Shkurt, në shkrimet e përpiluesve të Shërbimit Sekret Serb, liderët politikë dhe ushtarak të UÇK-së ishin në të njëjtën kohë terroristë dhe udhëheqës të klaneve kriminale. Sipas propagandës serbe ata “ishin përgjegjës për vrasjen e civilëve të pafajshëm, për rrëmbimet e shumta, për burgosjet e paligjshme, për trafikimin e organeve njerëzore të civilëve serbë…ata merreshin me trafikimin e drogës, me emigracionin ilegal, me tregtinë me armë…”

Sa i përket kësaj propagande, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë ishte indikatori më i fuqishëm për dështimin e shpifjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret serb kundër udhëheqësve të UÇK-së.

Por, intervenimi i NATO-s për të ndërprerë politikën e gjenocidit në Kosovë mobilizoi filo¬zo¬fë, publicistë, politologë, sociologë, historianë e politi¬kanë të orientimeve politike të majta e të djathta, që kishin emërues të përbashkët “antiamerikanizmin”, të mobilizohen në “mbrojtje të Evropës nga imperializmi amerikan”. “Antiamerikanizmi”, si këndvështrim i tyre ideologjik, bëri që përkundër divergjencave që kishin në fusha dhe tema të caktuara, të dalin me qëndrim të përbashkët se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Elmi Reçica, Adem Grabovci dhe bartësit tjerë të UÇK-së “ janë spiunë të amerikanëve” që mundësuan ndërhyrjen e amerikanëve në “territorin e Evropës” duke krijuar kushtet për “ndërtimin në Kosovë të bazës më të madhe ushtarake amerikan në Evropë.”

Akuzat kundër udhëheqësve të UÇK-së për “terrorizëm”, “krim të organizuar” dhe si “spiun të amerikanë” shkuan duke u intensifikuar pas përfundimit të luftës. Gjatë procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës këto akuza u intensifikuan dhe kulmin e tyre e arritën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kulmi i kësaj fushate filloi me Carla Del Ponten.

Një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish- Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla del Ponte botoi librin e saj “Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”. Sa i përket udhëheqësve të lartpërmendur të UÇK-së, në këtë libër, Carla Del Ponte i përvetëson fjalë për fjalë akuzat e ngritura në “Librin e Bardhë” të Shërbimit Sekret Serb.

Nga publikimi i këtij libri pasoi i ashtuquajturi “Raporti i Dick Marty-t”, që paraqet një sintezë të shpifjeve dhe sajimeve të Shërbimit Sekret Serb, “Sintezë shpifjesh” që u shndërrua në Raport të Këshillit të Evropës, për të vazhduar me Task Forcën Hetimore Speciale dhe votimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së!

Vlen të përmendet se përkundër proceseve të montuara gjyqësore kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës dhe kundër shumë luftëtarëve të lirisë, shpifjet e lartpërmendura nuk çonin peshë te opinioni publik shqiptar. Përkundrazi. Të bindur për faktin se shpifjet dhe akuzat e tilla ishin sajuar nga Shërbimi Sekret Serb, proceset gjyqësore kundër luftëtarëve të lirisë kishin efekt revoltën e madhe të popullit të Kosovës. Kjo revoltë shprehet më së miri në pritjet madhështore që ju bënë të gjithë të liruarve nga akuzat e fabrikuara nga Shërbimi Sekret Serb.

Të gjitha problemet e lartpërmendura i kam trajtuar hollësisht në pjesën e dytë të librit tim (Mashtrimi i Madh f. 397-560). Të interesuarit për vërtetësinë e pohimeve që solla në këtë shkrim të shkurtër mund t’i konsultojnë referencat që sjell në libër.

Ajo që më shtyri të reagoj duke rikujtuar shpifjet dhe akuzat që u sajuan nga Shërbimi Sekret Serb ka të bëj me një fushatë histerike që përpiqet ta paraqes Hashim Thaçin si “spiun të Francës…” E shoh të udhës të reagoj sepse këtu kemi të bëjmë me një kontekst të ri historik dhe me një periudhë të re të luftës speciale kundër luftës çlirimtare të Kosovës.

Për dallim nga periudha paraprake kur ish-udhëheqësit e UÇK-së kishin një minimum solidariteti përball padrejtësive që u kanoseshin, përkundër divergjencave që kishin në mes tyre në fusha të ndryshme, tani kemi një situatë ku divergjencat rrezikojnë të shndërrohen në armiqësi “brenda llojit”.

Nuk më takon mua “të ndaj drejtësi” se kush është “më shumë” apo “më pak” fajtor për situatën e krijuar. Ajo që shihet është e tmerrshme. Shpifjet dhe akuzat e sajuara nga shërbimet antishqiptare po shpërndahen edhe nga njerëzit që vepruan për dekada të tëra në të njëjtat struktura organizative. Qëllimi im nuk është të polemizoj me asnjërin prej tyre sepse kjo histeri shpifjesh ka kaluar caqet individuale. Prandaj nuk po ua përmend emrat. Por, siç thotë një shprehje popullore «Në kofsh Bektesh, e merr vesh»!

Nuk ka turp më të madh ku shpifjet e një ish-Zëvendës Drejtori Teknik të njërit nga Shërbimet Sekrete të Francës (Shërbimit të Jashtëm) të përhapen në mediet shqiptare me tituj bombastik se gjoja “sipas ish –shefit të shërbimit francez Pierre Siramy, Hashim Thaçi është agjent i Francës!” Poshtërsia është edhe më e madhe kur të njëjtën dezinformatë e shpërndajnë njerëzit me të cilët kemi vepruar bashkë.

Sikur t’u kishte interesuar e vërteta lidhur me këto “pretendime”, secili do të kishte mundur të bindej se prapa Pierre Syrami-t nuk qëndron asnjë shef i Shërbimit Francez por bëhet fjalë për pseudonimin e Maurice Dufresse, një ish Zëvendës drejtor TEKNIK, i pensionuar për “çështje shëndetësore” dhe i cili ka botuar një libër, ndaj të cilit janë ngritur disa padi për shpifje.

Sikur t’u kishte interesuar e vërteta, para se të botonin shpifje të rënda, do të ishin bindur se në librin “Dëshmia e Pierre Siramy-t, 25 vjet në shërbimet sekrete” në 793 faqe të shpërndarë falas përmes internetit (http://data.over-blog-kiwi.com/0/94/25/77/20140225/ob_8bd82e_25-ans-dans-les-services-secrets-siramy-pierre.pdf), as edhe një fjalë e vetme për Hashim Thaçin!

Kujt i shkon përshtati që në kohën kur pritet që të themelohet Gjykata Speciale të futë thika të tilla me qëllim që divergjencat e ish shokëve tanë të shndërrohen në armiqësi. Meqenëse disa ish bashkëveprimtarë më janë drejtuar publikisht nëpërmes profileve të tyre të Facebook-ut që të jap mendimin tim lidhur me “pretendimet” se gjoja “Hashim Thaçi është spiun francez” e shoh të udhës që të shprehem publikisht rreth kësaj çështjeje.

Gjatë veprimtarisë së përbashkët diplomatike me Hashim Thaçin (si përfaqësues politikë të UÇK-së, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe në kuadër të PDK-së) Hashim Thaçi ka dëshmuar një konsekuencë të vazhdueshme në qëndrime. Në qindra takime që kemi pasur me përfaqësues të nivele të ndryshme politike dhe shtetërore ndërkombëtare, Hashim Thaçi ka mbrojtur qëndrimin se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e vetme e mundshme që do të garantonte stabilitetin në Ballkanin Perëndimor; Në të gjitha takimet që kemi pasur pas luftës, Hashim Thaçi insistonte me ngulm për lirimin e menjëhershëm të gjithë shqiptarëve që ishin marrë peng nga regjimi i Millosheviqit dhe në mesin e tyre, në çdo takim ka përmendur Albin Kurtin dhe Nahit Hasanin. Në të gjitha takimet diplomatike Hashim Thçi insistonte në domosdoshmërinë e presioneve ndërkombëtare për ndriçimin e fatit të atyre që konsideroheshin të zhdukur dhe në këtë kontekst nuk e lente pa përmendur rastin e politologut Ukshin Hotit dhe veprimtarit të njohur Xhavit Haziri…

Për mua është e qartë se prapa Pierre Siramy-së dhe të gjithë atyre që bëjnë propagandë e lartpërmendur qëndron Serbia. Të gjithë bashkëveprimtarëve u drejtohem me një këshillë: divergjencat eventuale që mund të kemi mes nesh, nuk duhet të na verbojnë deri në atë shkallë sa të heshtim para shpifje, për të cilën thellësisht jemi të bindur se janë të sajuara nga shërbimet sekrete antishqiptare.

Është e drejtë e secilit prej nesh të ketë mendimin e vet se çfarë presidenti i duhet vendit. Dikujt mund t’i duke e arsyeshme që Hashim Thaçi të zgjidhet në këtë funksion në përputhje me marrëveshjen PDK-LDK; dikujt mund t’i pëlqente që në vend të tij të ishte Isa Mustafa, në përputhje me marrëveshjen e përparshme të VLAN-it, e dikujt tjetër mund t’i pëlqejë një i tretë. Kjo është çështje pikëpamjesh dhe pozicionesh në garën politike.

Por, të gjithë e dimë se Hashim Thaçi nuk është spiun, as i Francës e as i ndonjë shteti tjetër, siç e dimë se propaganda që bëhet kundër babait, gjyshit dhe stërgjyshit të Hashim Thaçit është propagandë e sajuar në Beograd, pikërisht për shkak të veprimtarisë që Hashim Thaçi ka zhvilluar kundër Serbisë gjatë luftës çlirimtare, gjatë procesit të përcaktimit të statusit final të Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës…

Propaganda e Shërbimit Sekret Serb ka vërshuar Kosovën. Nëse dikush pa vetëdije ka ra në grackë të kësaj propagande është momenti që të tërhiqet, sepse kjo fushatë histerike nuk dëmton vetëm Hashim Thaçin, por Kosovën në rend të parë. Ndërsa, ata që me vetëdije (me pagesë apo pa pagesë) shpërndajnë këtë propagandë, jam plotësisht i vetëdijshëm se do të vazhdojnë avazin e diktuar nga padronët e tyre! Atyre u them: qafën e thefshi!