Letra e Bin Laden: Të mos preket Joe Biden, të bëhet president dhe ta fusë Amerikën në krizë

Osama Bin Laden ua kishte ndaluar militantëve të Al-Qaeda-s që të vrisnin presidentin e tanishëm të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi mendonte që ai do ta fuste Amerikën në krizë.

Në një letër dërguar ndjekësve të tij në maj të vitit 2010, Bin Laden jepte udhëzime për të vrarë presidentin e atëhershëm të SHBA, Barack Obama, në mënyrë që zëvendësi i tij Biden, të merrte detyrën, pasi e vlerësonte si “totalisht të papërgatitur” për të drejtuar Shtetet e Bashkuara.

Ai u shkruante militantëve të godisnin avionët në të cilët fluturonin Obama dhe drejtori i atëhershëm i CIA-s, David Petraeus.

Pjesë nga letra e Bin Laden për militantët e Al Qaeda-s

“Arsyeja e përqendrimit te Obama është sepse ai është koka e të pafeve dhe vrasja e tij do të bëjë që Biden të marrë automatikisht postin e presidentit, pasi ajo është norma atje. Biden është totalisht i papërgatitur për postin, diçka që do ta çojë në krizë Amerikën. Ndërsa vrasja e Petraeus do të ndryshonte rrjedhën e kësaj lufte”, shkruan a2news.

Letra është zbuluar në një kasafortë me dokumente të gjetur në strehën e terroristit në Pakistan, pasi forcat amerikane e vranë në maj të vitit 2011. Dokumentet, të shkruara në vitet 2006-2011, janë të gjitha të ruajtura në Qendrën për Luftën kundër Terrorizmit në Uest Point, SHBA.