Letër e hapur për deputetet e Kuvendit të Kosovës

Të nderuara deputete,

Ju lus të ndani pak minuta nga koha juaj e çmuar për të lexuar këtë reagim timin, i cili ju drejtohet me qëllim të parandalimit të votimit të një draft-ligji që favorizon bizneset e dëmton familjet, nënat dhe foshnjat dhe rëndon gjendjen e tyre socio-ekonomike.

E kam fjalën për Draft-Ligjin për Pushim Lehonie, i cili, nëse aprovohet në Kuvend, në formën siç është propozuar aktualisht nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), nuk paraqet progres në respektimin e të drejtave të femrave të punësuara, por, përkundrazi, paraqet regres dhe vështirësi të funksionimit normal për një nënë dhe foshnjën e saj.

Ndaj, të nderuara deputete,
ju lus që, para se të ngritni dorën për ta votuar këtë Draft-Ligj, të paktën të kërkoni që të ndryshohet neni i propozuar, sipas të cilit, pjesa e parë e pushimit të lehonisë, shkurtohet nga 6 muaj, në 3 muaj me 70 për qind të pagës bazë…

Për ta sjell në kujtesën tuaj, aktualisht, sipas Ligjit NR. 03/L-212 të Punës, Neni 49,
Pushimi i lehonisë, është i rregulluar kështu:

1. Femra e punësuar gëzon të drejtën prej dymbëdhjetë (12) muajve, të pushimit të lehonisë.
Me prezantimin e certifikatës mjekësore femra e punësuar mund ta fillojë pushimin e lehonisë deri në dyzetepesë (45) ditë para datës kur pritet të lindë. Në periudhën prej njëzetetetë (28) ditëve para datës kur pritet të lindë, punëdhënësi me pëlqimin e femrës shtatzënë, mund të kërkojë që ajo ta fillojë pushimin e lehonisë, nëse punëdhënësi mendon se femra e punësuar nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat e saj.

3. Gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë.
4. Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë .
5. Femra e punësuar ka të drejtë me këtë ligj që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre (3) muaj të tjera pa pagesë.

Të nderuara deputete,

Propozimi aktual është që 3 muajt e parë të këtij pushimi, të paguhen nga punëdhënësi me 70 per qind të pagës bazë, e 6 muaj të tjerë me 50 për qind të pagës mesatare në vend, të paguhen nga Qeveria. Dhe a dini çfarë shume nënkupton ky 50 për qind i pagës mesatare?!: 220 euro pagë.

Një nënë e punësuar, për gjashtë muaj pushim lehonie, prej kur bebja të jetë 3 muajshe, deri t’i bëjë 9 muaj, do të ketë nga 220 euro në dispozicion për mirëmbajtjen apo më mirë thënë mbijetesën e saj dhe të bebes. Të mos flasim, nëse bëhet fjalë për fëmijë të tjerë dhe plotësim të kushteve tjera elementare.
Të nderuara deputete, kalkulojeni shpejt e shpejt, se si mund t’ia dalë një nënë me 220 euro pagë në muaj?! Çfarë rritje do t’i mundësojë bebes së saj?!

Unë kam pritur që në kuadër të ndryshimeve ligjore për këtë kategori, periudha e të drejtës për 70 për qind të pagës bazë të zgjatet për një vit, e asesi të shkurtohet nga 6 në 3 muaj.
Siç e dini, kjo është bërë me arsyetimin se bizneset private po i diskriminojnë femrat e punësuara, por, a është kjo zgjidhja e duhur, dhe a ishte alternativa e vetme, ta heqim barrën nga bizneset duke i dëmtuar nënat lehona?!

Unë jam nënë e dy vajzave, dhe jam në pritje të lindjes së fëmijës së tretë. Dhe krahasuar me pushimin e fundit të lehonisë, nëse ju do ta votoni draft-ligjin në fjalë, për tre muaj, do të dëmtohem, minimumi, 477 euro, apo 159 euro për secilin muaj.

Ky kalkulim është bërë sipas pagës me koeficient 7.5, ndërkohë që tani jam me koeficient 8, ndaj, i bie që dëmi, që unë si nënë lehonë, do të pësojë tejkalon 500 euro për tre muaj, dhe kjo shumë, për mua, si grua e punësuar, me tre fëmijë të vegjël, me kredi dhe shpenzime si çdo familje normale në Kosovë, besomëni që është shumë.

Ndaj, të nderuara deputete,

Krahas lejes prindërore që ky draft-ligj parasheh për baballarët, e që është e mirëseardhur, ju lus të tregoheni syçelë, dhe të këmbëngulni që, nëse nuk ka shpresa për zgjatje të periudhës me pagë më të dinjitetshme, të paktën, të mos lejoni kthim prapa, apo shkurtim të pagës, pasi kjo do të jetë e pafalshme nga nënat e reja, tatimpaguese të këtij shteti…