Leku rritet ndjeshëm me fillimin e verës

Vetëm në 24 orët e fundit, monedha evropiane, euro, ka humbur rreth një pikë dhe është zhvlerësuar edhe më tej kundrejt lekut, duke kapur nivelin e 101 lekëve për blerje dhe 102.1 për shitje.

Kjo është edhe kuota më e ulët e regjistruar e monedhës evropiane, e cila prej më shumë se një viti ka humbur terren në mënyrë të frikshme ndaj lekut.

Por, ajo nuk është e vetmja, pasi zhvlerësime të mëdha ka pësuar edhe dollari amerikan dhe paundi britanik.

Respektivisht, 1 dollar është këmbyer me 89.6 lekë për blerje dhe 91.4 lekë për shitje.

Ndërsa, një paund britanik, këmbehet sot me 117 lekë në blerje dhe 119 në shitje.

Nga njëra anë, për agjentët e këmbimit valutor, rënia e Euros është konfirmim i pritshmërive të tregut.

Por, nga ana tjetër, ekspertë të shumtë kanë ngritur alarmin mbi atë çfarë e gjitha mund të sjellë për tregun.

Faktor kryesor i rënies vijon të mbetet prurja e madhe e monedhës evropiane, mbi të gjitha në muajt e verës me shtimin e prurjeve të turistëve në vend.

Ndërsa, ekspertë të ndryshëm ekonomie, mendojnë se e gjitha nuk mund të ketë ardhur si faktor i turizmit dhe prurjes së monedhës në mënyrë të ligjshme.

Në fillim të muajit korrik, ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, ai i cili nënvizoi se kursi vinte si pasojë e aktivitetit ekonomik.

Ai është ndikuar edhe nga rritja e të ardhurave të hyra nga turizmi, investimeve të huaja si dhe remitancave, sipas Sejkos dhe mbi këtë premisë, ai theksoi edhe se do të zhvillojë takime me përfaqësues nga bankat e nivelit të dytë në vend.

E pritshme është ndërkaq që ditët në vijim, ndoshta edhe brenda korrikut, të shohim për të parën herë në histori rënien e euros nën 100 lekë – gjë e cila do të sillte ndoshta turbullirën më të madhe ekonomike për vendin, nëse zhvlerësimi i tillë rezulton i vërtetë, ashtu si parashikimet tregojnë.