Lekaj për dialogun: Edhe pse jemi opozitë, nuk e lëmë qeverinë në baltë

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se edhe pse janë në opozitë, kur është në pyetje dialogu me Serbinë, nuk e lënë Qeverinë në baltë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Edhe pse jemi opozitë, kur është në pyetje politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë nuk e lëmë qeverinë në baltë dhe veprojmë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar Lekaj.

Sa i përket targave, Lekaj tha se e përkrahin Qeverinë që të zbatojë vendimin që ka marrë.

“Kosova nuk është e interesuar që të ketë trazira. Jemi të interesuar që të kemi një marrëveshje përfundimtare që të dy palët të kenë njohje reciproke. Ne si AAK përkrahim reciprocitetin dhe qeverinë që të zbatojë vendimin që ka marrë, pa bërë kompromise të tjera. Pse nuk bëhet presion edhe te pala serbe që Beogradi të jetë i dëgjueshëm?”, ka thënë Lekaj për abcnews.

Sipas tij, nga ana e ndërkombëtarëve duhet bërë presion mbi Serbinë. Për sa i përket asociacionit, Lekaj theksoi se nuk mund t’i thonë “Po”, kur bëhet fjalë për krijimin e një shteti brenda shtetit.

“Ne jemi të interesuar që të kemi zbatim të Kushtetutës së Kosovës. Ne i themi po një asociacioni që nuk ka kompetenca ekzekutive, por që të mund të jetë një organizim siç është asociacioni i komunave të Kosovës. Ne na pengon shumë nëse krijojmë një nivel të tretë qeverisës, apo shtet brenda shtetit. Ne i themi po asociacioni pa kompetenca ekzekutive dhe i themi jo të madhe asociacionit me kompetenca ekzekutive”