Deputeti i AAK-së

Lekaj: Jemi në terr informativ sa i përket draft-statutit të Asociacionit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se ata si deputetë të opozitës janë në një terr informativ sa i përket përmbajtjes së draft-statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, të propozuar nga ndërkombëtarët.

Të hënën, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, Lekaj ka thënë se nuk e dinë se çka do të bisedohet në takimin që partitë opozitarë të martën pritet ta zhvillojnë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Mirëpo sipas tij është mirë që ai t’ua paraqesë përmbajtjen e draftit të propozuar.

“Është e udhës dhe e drejtë që Lajçak të bisedojë me opozitës dhe të ketë në tavolinë draft-statutin e Asociacionit, përndryshe nuk e di se për çfarë duhet të mbahet ky takim”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka thënë se nëse diçka është konfidenciale, ajo nuk duhet të jetë e tillë për deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka kritikuar deklaratat e Kurtit sa i përket draf-statutit dhe përputhshmërisë së tij më Kushtetutën.

“Nuk është e sigurt nëse draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën, mendoj që apriori të thuhet nga Kurti se ai është frymën kushtetuese dhe ta luajë rolin e gjykatësit, Gjykatës Kushtetuese, është jonormale, mendoj që çdo krijesë e një Asociacionit me kompetenca ekzekutive është kancer i sistemit funksional të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Lekaj.

Ai e ka akuzuar Kurti për mashtrim të qytetarëve sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Marrëveshjet edhe ajo e vitit 2013 edhe ajo e vitit 2015, e edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk kanë nevojë që të nënshkruhen prapë, ato janë marrëveshje ndërkombëtare dhe dihet si implemtohen ato, më tepër janë lojëra politike, janë vendime elektorale dhe dihet si po i mashtron qytetarët. Është më mirë që Kurti të thotë se ka presion, kemi hyrë në sanksione në BE-ja edhe të dalë para qytetarëve e të thotë që ‘unë kam ardhur me një kauzë të tillë para qytetarëve që nuk e pranoj Asociacion, e kthej këtë kauzë te qytetarët, e të vendosin ata, e jo të mashtrojë qytetarët në këtë mënyrë”, ka deklaruar Lekaj, duke shtuar se është e papranueshme që serbëve të ju jepet çfarëdo lloj autonomie.

Lekaj: Asnjëherë në histori “Trepça” nuk ka qenë më keq

Lekaj në këtë intervistë ka folur edhe për ndërmarrjen “Trepça” dhe grevën e minatorëve e cila zgjati 10 ditë dhe u ndërpre të premten e kaluar.

Sipas tij kjo ndërmarrje asnjëherë në histori nuk ka qenë më keq sesa është tani.

“Asnjëherë në historinë e saj “Trepça”, nuk ka qenë më keq, nëse e bëjmë një krahasim, të cilin më vije keq ta bëj, në ish-Jugosllavi greva ka zgjatur vetëm 8 ditë, dhe Stipe Shuvar i ka vizituar, ndërsa sot greva zgjat 10 ditë dhe kryeministri Kurti nuk shkon t’i vizitojë, është për të të ardhur keq”, ka deklaruar Lekaj.

Lekaj ka folur edhe për dështimin e konstituimit të Komisionit parlamentar hetimor për rezervat shtetërore. Ai ka thënë se qëllimisht kjo po pengohet nga pushteti, deputetët e të cilit nuk po shkojnë në mbledhje.