Lekaj i përgjigjet VV-së: Glauk Konjufcën s’e ndihmon as Burdushi

Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, nuk po ia lë shenjë as presioni i BE-së e Gjermanisë që Shkëlqim Devollit përmes kompanisë “Eurolab” t’i hiqen të drejtat ekskluzive për homologimin e veturave.

Lekaj tha për Gazetën Express se homologimin do ta kryejë vetëm kompania në fjalë sepse ka licencë për afat të pacaktuar.

Megjithëse kundër monopolit të homologimit ka reaguar zyra e BE-së në Kosovë, ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, opozita dhe njohës të çështjes, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj thotë se homolgimin do ta kryejë vetëm “Eurolab”, sepse sipas ligjit për Automjete kompania e Shkëlqim Devollit ka licencë për afat të pacaktuar.

“Homologimin e kryen vetëm kompania në fjalë, sepse sipas Ligjit për Automjete, ka licencë për afat të pacaktuar. Siç edhe e kam potencuar dje, me përfundim të fizibilitetit, do të hapet edhe tregu për kompani të tjera të kryerjes së homologimit”, tha Lekaj.

Gjatë ditës së djeshme Pal Lekaj dhe anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kanë pasur një përplasje. Konjufca e ka pyetur Lekajn se sa para i ka marrë nga kompania ‘EuroLab’ shpk, për monopolin e homologimit.

Lekaj ka mohuar se ka marrë para nga Devollët, megjithatë menjëherë VV i ka vendosur Palit nofkën “Leku”.

“Pal-Leku dhe Monopoli i Homologimit të veturave”, thuhej në reagimin e Vetëvendosjes. Në të cilin kjo parti kërkon që të hartohet një udhëzim, ku planifikohet ndërprerja e kontratës me kompaninë “Eurolab”.

Partia e Kurtit thotë se kjo kontratë e MI-së me kompaninë në fjalë është lidhur si favor në këmbim të ryshfetit të vazhdueshëm.

I pyetur se cili është komenti i tij për nofkën e vendosur nga VV “Leku”. Ministri Lekaj e thotë se Glauk Konjufca duhet të jap fakte për pretendimet se ai ka marrë para nga Devollët. Për këtë çështje Lekaj, shprehet se nuk do t’i ndihmojë as Burdushi, Glaukut. Ia ka përmendur edhe SHIK-un.

“Ndërsa sa i përket Glaukut, meqë është thënë se ka qenë SHIK, ai e din se duhet të jap fakte për pretendimet e tij. Përndryshe nuk do ta ndihmojë as Burdushi”, thotë Lekaj.