Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të këmbëngul që posti i presidentit duhet t’i takojë këtij subjekti politik. Madje kandidaturën e kryetarit të kësaj partie, Ramush Haradinaj e konsiderojnë si një ofertë serioze për forcat politike në vend.

Ndërsa thonë se kjo parti nuk ka vota për ndonjë kandidat tjetër potencial për president të vendit. Pal Lekaj nga AAK-ja për Ballkani.info ka thënë se Ramush Haradinaj është figurë unifikuese për spektrin politik në Kosovë. Zgjedhjen e tij si president e sheh si zgjidhje më të mirë në situatën nëpër të cilën po kalon vendi.

“Aleanca për me kandidaturën e zotërit Haradinaj për president ka dërguar një mesazh të arsyeshëm të qartë është një ofertë serioze kandidatura e Haradinaj për president dhe besoj që i mbetet tash forcave politike qoftë ato që janë në koalicionin qeverisës, qoftë edhe opozitës që t’i japin një zgjidhje ose një epilog çështjes së zgjedhjes së presidentit. Mendoj se Ramush Haradinaj i plotëson kushtet për të ushtruar një përgjegjësi të lartë për të qenë shef i shtetit edhe i plotëson edhe kriteret edhe njerëzore edhe morale edhe kombëtare por edhe është personalitet i cili luan edhe rolin e një figure i cili e unifikon spektrin politik. Zgjedhja e tij mund të jetë një zgjedhje e mirë edhe Kosova në kontekstin ku është sot duke marr parasysh edhe zhvillimet”, tha ai.

Ish-ministri i Infrastrukturës thotë se partia nga ai vjen nuk ka vota për ndonjë kandidat tjetër përveç kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.