Pal Lekaj

Lekaj: AAK shkon në zgjedhje për ta çuar në shtëpi Kurtin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se partia që ai e përfaqëson është e interesuar ta dërgoj kryeministrin Albin Kurti në shtëpi dhe ta formoj qeverinë e re pa zotin Kurti.

Në emisionin “Info-Nata” në Tëvë1, Lekaj tha se AAK do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve bashkë me NISMA-n.

“AAK është e qartë, shkon në zgjedhje për ta çuar në shtëpi zotin Kurti dhe pastaj pas zgjedhjeve të ulemi e të bisedojmë me opozitën për të krijuar një qeveri të re por pa zotin Kurti”, tha Lekaj.

Ndërsa, i pyetur nëse pret që në seancën parlamentare të së enjtes do të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare me votën e PDK-së, Lekaj tha se nëse ndodh një gjë e tillë, PDK ka marrëveshje me LVV-në dhe Kurti është fitues.

“Nëse ka pajtueshmëri dhe votohet edhe Kodi Civil edhe Marrëveshjet ndërkombëtare me votën e PDK-së i themi që këta kanë një marrëveshje që vendin ta çojnë në zgjedhje dhe Kurti është fitues në këtë drejtim sepse dihet se e ka ulë zërin e opozitës dhe në këtë rast në vend se opozita del fuqishëm e bashkuar të të punojmë së bashku për ta rrëzuar këtë qeveri, ne po merremi me veten tonë dhe po e harrojmë atë kryesoren, kryefjalën që është zoti Kurti”, tha Lekaj.