Legjenda e filmit, Kirk Douglas ka festuar ditëlindjen e 103-të

Kirk Douglasi legjendar e ka festuar ditëlindjen e tij të 103-të. Ai ishte lindur si Issur Danielovitch në Amsterdam.

Në karrierën e tij të gjatë, ai i ka realizuar më shumë se 90 role filmike.

Ky aktor gjenial pësoi sulm në tru në vitin 1996, gjë që e përshkroi në librin e tij, “The Stroke of Fortune”. Ai i ka shkruar 10 libra autobiografikë. Atë goditje e kishte përshkruar si “ferrin më të keq që një person mund ta përjetojë”.

Kirk lindi në një familje të varfër emigrantësh nga Gomel, një qytet në Bjellorusi. Ai bëri punë të ndryshme për të pasur para për ushqim. Ishte shitës, shpërndarës i gazetave dhe portier.

Ai ka qenë i interesuar të aktrojë qysh në ditët e tij të hershme. Luajti në shfaqje të shkollës së mesme, ndërsa talentin e tij e trashëgoi edhe djali i tij Michael Douglas, i cili gjithashtu është në rrugë për t’u bërë një nga legjendat e filmit.

Sipas Institutit Amerikan të Filmit, Douglas është renditur në vendin e 17-të në listën e legjendave më të mëdha filmike meshkuj në historinë e kinematografisë amerikane, dhe njëkohësisht aktori i ranguar më së larti i gjallë në listë.

Në vitin 1996, ai e fitoi Oscarin e nderit për “50 vjet forcë kreative dhe morale në komunitetin e filmit”. Ai e fitoi çmimin “Cecil B. DeMille” në vitin 1968 dhe një varg çmimesh të tjera për punën e tij në film.