Legalizohet objekti i parë në Rahovec

Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në komunën e Rahovecit, Rumir Zhuniqi, ka nënshkruar vendimin e parë për legalizim të objektit.

Ky veprim vjen pas Ligjit të Ri për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje dhe hyrjes në fuqi të udhëzimeve administrative, njofton Klan Kosova.

Zhuniqi ka bërë thirrje që edhe qytetarë të tjerë të Rahovecit që objektet e tyre i kanë pa leje të fillojnë këtë procedurë.

Gjithashtu ai bëri të ditur se shumë qytetarë të Rahovecit e të zonave rurale kanë filluar procedurat brenda afateve ligjore.

Ja postimi i plotë:

Pas miratimit të Ligjit të Ri për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje dhe hyrjes në fuqi të udhëzimeve administrative dhe nisjes së legalizimit të objekteve pa leje, sot në cilësi të drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, nënshkrova vendimin e parë për legalizim.

Objekti i parë që u legalizua ka një hapësirë prej 330 m2.

Ftesës për legalizim të objekteve u janë përgjigjur shumë qytetarë të Rahovecit e të zonave rurale, të cilat me bashkëpunëtorë po i trajtojmë me kujdes që procedura të aplikohet brenda afateve ligjore dhe në pajtim me ligjin në fuqi.

Shfrytëzoj rastin që edhe një herë të ftoj të gjithë bashkëqytetarët e mi që të nisin procesin e legalizimit nëse kanë në pronësi objekte pa leje.
Legalizo ndërtimin, mos e humb mundësinë!