Leeds United interesohet për Kolollin

Leeds United ka hyrë në garë kundër dy rivaleve të Championshipit për t’i siguruar shërbimet e yllit kosovar të Zurichut, Benjamin Kolollit.

Pas zhgënjimit në rrugëtimin për t’u promovuar në Premierligë, trajneri Marcelo Bielsa i ka identifikuar lojtarët që dëshiron t’i transferojë për ta përforcuar skuadrën e tij për sezonin e ardhshëm.

Kosovari Benjamin Kololli shihet si opsioni i përsosur për ta përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm, pasi që ai ka qenë mjaft mbresëlënës këtë sezon, duke kontribuar me 14 gola dhe tetë asiste.

Anësori i krahut të majtë shkëlqeu veçanërisht në Ligën e Evropës, kur shënoi në disfatën e fundit të Zurichut kundër Napolit.

Sipas Football Insider, Leeds Unitedit i ka bërë përshtypje kosovari dhe anglezët janë të gatshëm të shpenzojë para për ta transferuar Kolollin gjatë verës.

Megjithatë, Leeds nuk do ta ketë të lehtë ta arrijë këtë qëllim, pasi që për Kolollin kanë shprehur interesim edhe klube të tjera të Championshipit, nivelit të dytë të futbollit në Angli.

Football Insider pretendon se edhe Bretfordi dhe Sheffield Wednesday janë të gatshëm të luftojnë për ta siguruar nënshkrimin e kosovarit.

Në anën tjetër, Bielsa e do Kolollin në skuadrën e vet për sezonin tjetër, pasi që anësori i tij, Jack Harrison, do të kthehet në Manchester City sepse i skadon kontrata e huazimit.