LDK’ja deklarohet pas dhunës së raportuar në degën e Podujevës

Pas përleshjeve në shumë degë të tjera të Kosovës, sot edhe në qytetin e Podujevës është raportuar se ka pasur përleshje gjatë procesit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në shkollën që mban emrin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në Podujevë, ka pasur përleshje para se të fillonte procesi zgjedhor.

Si pasojë e kësaj përleshje të gjithë të pranishmit u detyruan që të largoheshin nga kjo sallë vetëm pak minuta pasi filloi procesi i zgjedhjeve.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, ka thënë për lajmi.net se kjo nuk ka qenë përleshje fizike, por thjeshtë përleshje verbale dhe se aktualisht çdo gjë është duke shkuar në rregull.

“Së pari nuk ka asnjë përleshje. E dyta me aq informacione që kam, ka qenë një fjalosje mes dy personash aty dhe pas kësaj janë çuar të gjithë dhe kanë dalë jashtë dhe e kanë tejkaluar shumë shpejtë atë dhe më pas janë kthyer dhe kanë vazhduar të votojnë me votim të fshehtë kryetarin e nëndegës, kryesinë dhe delegatët”, ka treguar Mustafa.

Ai ka thënë se aktualisht në Podujevë është duke u bërë numërimi i votave.

“Për momentin janë duke i numëruar votat. Do me thanë po e përsëris edhe një herë, ka qenë një përleshje verbale shumë e shkurtër dhe ka përfunduar me kaq”, ka deklaruar Mustafa.

Vlen të theksohet se procesi zgjedhor i LDK-së, që nga fillimi i tij është përballur me tensione e përleshje, madje në një nëndegë në Prishtinë ka pasur edhe përleshje fizike, ku janë përdorur edhe karriget.