LDK: VV e ka futur Gjilanin në depresion ekonomik, po udhëhiqet nga djem të ri që nuk ia kanë ide për qeverisje

Komisioni për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër i Degës së LDK-së në Gjilan ka mbajtur sot konferencë për mediat, në emër të të cilit ka folur Fitim Guda.

“Nuk po rreshtin gabimet në Komunën e Gjilanit nga paaftësia e kësaj qeverisje komunale. Dita e mirë shihet në mëngjes, andaj në këta muaj të parë po shohim vetëm bllokim të punëve nga mosdija, asgjë më shumë. Ata e rikthyen depresionin ekonomik dhe kjo është tepër shqetësuese“- tha Guda para mediave.

Komisioni për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër i Degës së LDK-së në Gjilan ka ngritur shqetësim lidhur me hapësirat që po zë organizimi i panairit “E JONA”, duke nënvizuar me këtë rast po e pësojnë bashkatdhetarët tanë, të cilëve po iu bllokohen rrugët.

Poashtu, sipas tyre Gjilanin po e qeverisin disa djem që nuk ia kanë idenë për qeverisje të një Komune.

“Është i papranueshëm organizimi i panairit “E JONA” në atë mënyrë. Në kohën kur Gjilanit i mbushen rrugët me bashkatdhetarë tanë, në vend se të krijohen hapësira për ta siç ndodh në çdo komunë, rruga jonë kryesore bllokohet duke shkaktuar tollovi në komunikacion dhe rrezik për qytetarët ngase ajo rrugë është arteria kryesore që lidh qytetin me spitalin dhe QKMF-në.”

“Kryetari i Komunës, në vend se të bëjë presion në Prishtinë për projekte madhore, merret me arnim të rrugëve të qytetit. Ai duhet të jetë prijës i projekteve për Gjilanin e Anamoravën, por si duket këtë kompetencë e ka kaluar te kryetarët e komunave më të vogla fqinje. Është, poashtu, e papranueshme shkëputja e kontratës së stadiumit në këtë fazë me arsyetimin se niveli qendror nuk ka mjete të mjaftueshme për këtë projekt. Më këtë kauzë të rrejshme erdhën edhe në pushtet, por mos harroni se qytetarët, klubet e tifozët ju mbajnë mend. Gjilani ka nevojë për një kryetar që sjell investime në Komunë, e jo për disa djem të rinj që nuk e kanë as idenë se si qeveriset një komunë si Gjilani”, thekson Gruda.