LDK

LDK: Vetëm zgjedhjet e nxjerrin vendin nga kriza e thellë institucionale

LDK-ja vazhdon të thotë se institucionet e tanishme kanë mbetur pa legjitimitet dhe se vendi është në një krizë të thellë institucionale, për të dalë prej të cilës duhen zgjedhje të reja.

Këtë e ka ripërsëritur nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, në një takim me struktura të kësaj partie në Ferizaj, e të cilën e kanë cilësuar si takim mobilizues. Sipas njoftimit për media të LDK-së, Veliu ka bartur në këtë takim fjalët e kryetarit të partisë, Isa Mustafa në lidhje me të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe në LDK.

“Ai ka thënë që ide të ndryshme, apo edhe kritika nga këto takime që LDK-ja ka filluar nga ky muaj, do t’i shërbejnë LDK-së te vendimi përfundimtar në organet e partisë për të gjitha çështjet që tashmë kanë prekur qytetarët e Kosovës dhe kanë shtyrë në një krizë të thellë institucionale deri në një qeveri jolegjitime dhe jokredibile për vendin”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së. “Veliu ka thënë gjithashtu që këto takime kanë për qëllim që bashkërisht të ruhet uniteti brenda LDK-së dhe LDK të dalë e para pas procesit zgjedhor”, thuhet më tej aty.

Sipas njoftimit, në takim ka folur Ismet Beqiri, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, kryetarja e Forumit të Gruas, Lirije Kajtazi, Fidan Rekaliu, kryetari i Forumit të Rinisë, si dhe kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Svarqa.