LDK s’merr masa ndaj Agim Veliut, Gashi: Vazhdon t’i mbajë pozitat e njëjta

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka folur pas mbledhjes së jashtëzakonshme të strukturave të partisë në selinë e këtij subjekti politik. Ai e ka komentuar edhe humbjen në zgjedhjet e djeshme në Podujevë.

Gashi është pyetur edhe nëse është zbehur fuqia e Agim Veliut në parti pas kësaj humbje, ndërsa ka thënë se ai vazhdon t’i mbajë pozitat e njëjta.

“Nuk di çka konsiderojmë zbehje të fuqisë politike. Z. Veliu vazhdon t’i mbajë të njëjtat pozicione politike që i ka pasë”, tha Gashi.

Shefi i GP të LDK-së paraprakisht tha se rezultati i keq i zgjedhjeve në Podujevë ka dy shkaktarë.

“Është rezultat i gjendjes së shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe rezultat i një situate kur kemi një shkëputje të njërit nga kandidatët e LDK-së dhe kjo ka ndikuar që të ketë njëfarë pakënaqësie”, tha Gashi.