Grupi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës akuzuan kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti për koalicion të fshehtë me PDK, derisa thanë se emërtimet e drejtorëve të shkarkuar janë pjesë e pazareve PSD-PDK.

Këto deklarime ata i thanë gjatë një konference për media përmes së cilës kritikuan qeverisjen Ahmeti, dhe e konsideruan si qeverisja më e dështuar që ka pas ndonjëherë komuna e Prishtinës.Halim Halimi, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, u shpreh se përkundër kundërshtimeve të tyre drejt parregullsive, ata nuk po arrijnë të bëjë asgjë, pasi që Ahmeti me koalicionin aktual i ka votat. Halimi ka përjashtuar çdo mundësi që Lidhja Demokratike e Kosovës të ketë jetë në koalicion me Partia Socialdemokrate në komunën e Prishtinës.

Sipas tij, premtimet e Shpend Ahmetit janë vetëm mashtrime për qytetarët, pasi sipas Halimit ato nuk do arrijnë të realizohen. Ai e ka akuzuar kryetarin aktual të kryeqytetit se nuk po i emëron drejtorët e shkollave në Prishtinë, për shkak se dëshiron që në ato pozita t’i vendosë militantët partiakë. Ai kritikoi Ahmetin edhe për mospjesëmarrje në seancat e Kuvendit Komunal.

Halimi u shpreh se qeverisja e Ahmetit po e vazhdon avazin e mandatit të kaluar duke e injoruar opozitën. Sipas tij numri i ndërtimeve pa leje është rritur, dhe kryesisht këto ndërtime po bëhen në zona të gjelbëruara.

Në këtë konferencë të LDK-së u tha se koalicioni ekzistues në Prishtinë ka miratuar një plan shumë të keq buxhetor për vitin 2019 dhe një kornizë shumë e keqe buxhetore 2019-2021 e cila nuk i përmbush kërkesat e kryeqytetasve.