LDK-së s’i bëjnë përshtypje ultimatumet e VV-së, preferojnë të shkojnë vet në zgjedhje

Që pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, më 19 korrik, partitë politike në vend kanë filluar të shfaqin preferencat e tyre për kolacione të mundshme parazgjedhore, një nga to ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje.

VV-ja i ka kërkuar publikisht koalicion Lidhjes Demokratike të Kosovës. Afërsia në mes këtyre partive ishte vërejtur edhe para dorëheqjes së Haradinjat, kur bashkë planifikonin nxjerrjen në votim të mocionit të mosbesimit, për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Anipse nga VV-ja kishin thënë se preferojnë koalicion me LDK-në, por jo me çdo kusht, edhe pas një muaji një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur, as pas takimit të javës së kaluar mes dy krerëve të këtyre partive.

Por, si duket Vetëvendosje po e humb durimin. Mbrëmë shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti politik tha se VV-ja do ta pres LDK-në për lidhjen e një koalicioni, më së largu deri më 25 gusht.

Ballkani.info ka kontaktuar me zëdhënësin e kësaj partie për të marrë një qëndrim nga LDK-ja për këtë ultimatum dhe për të kuptuar nëse kjo parti ka vendosur për koalcionin me VV-në.

“Këshilli i përgjithshëm vendos se a do të shkojmë në zgjedhje apo jo. Ne jemi shprehur që kemi preferencë të shkojmë të vetëm në zgjedhje, pa koalicion”, tha Besian Mustafa, zëdhënësi i LDK-së.

Mustafa nuk ka dashur ta komentojë ultimatumin e dhënë mbrëmë nga Konjufca se vetëm edhe një javë ka kohë LDK-ja që t’i kthejë përgjigje VV-së për koalicion. Po ashtu Konjufca tha se koalicioni me LDK-në mund të bëhet vetëm me Kurtin si kandidat për kryeministër. /Ballkani.info/

loading…