LDK para seancës: Tik tak, ditë të mira po vijnë

Pak para fillimit të seancës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, LDK ka thënë se ditët e mira po vijnë.

Deputetja e LDK-së, Doruntina Maloku ka publikuar një fotografi në profilin e saj zyrtar në Facebook së bashku me deputetët e tjerë të LDK-së, duke paralajmëruar se ditët e mira për vendin po vijnë.

Po ashtu edhe deputeti tjetër i LDK-së, Ismet Beqiri, është deklaruar para fillimit të seancës. Ai ka thënë se legjislatura e VI ishte më e dobëta.

“Pa dyshim se sot sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës është çdo gjë e qartë. Bile ne kemi thënë që ka kohë që ky Parlament dhe kjo qeverisje që ka qenë është dashur që në fillimet e saj të shkon në shtëpi, dhe të shkohet në zgjedhjet tjera, sepse po thuajse asgjë nuk ka funksionuar mbarë dhe mirë. E kundërta, gjithçka që është bërë, është bërë keq dhe nuk mbahet mend që ka pasur legjislaturë përgjithësisht më të dobët për mendimin tonë falë vetë koalicioneve, sepse për të qeverisur mirë do të duhej të pasur edhe numër të mjaftueshëm për të kaluar ligje, vendime që i takojnë Kuvendit”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, në rend dite në seancë janë dy pika ” 1. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. 2. Shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Kujtojmë se për votimin e shpërndarjes së Kuvendit duhen 2/3 votave të deputetëve që i bie 80 vota.

loading…